Dy persona janë vënë në pranga nga policia pasi u kapën duke transportuar lëndë narkotike në qytetin e Laçit, me qëllim shitjen.
Sipas njoftimit të policisë, në pranga kanë rënë Hermes Mihana, 25 vjeç, banues në Malbardhë, Kurbin, drejtuesi i automjetit, dhe Hidajet Karaj, 36 vjeç, banues në Fushë-Krujë, pasagjeri.
Të dy personat u kapën në rrugën e fshatit Selitë, ku gjatë kontrollit u gjetën 4 thasë me lëndë të dyshuar narkotike Cannabis Sativa, me peshë totale 40.3 kilogramë.
Nga hetimet dyshohet se këta shtetas e kishin siguruar lëndën narkotike në Malësinë e Krujës, në fshatin Mafsheq dhe po e transportonin në qytetin e Laçit, me qëllim shitjen.
Në përfundim të veprimeve u arrestuan në flagrancë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 40.3 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike Cannabis Sativa, 1 peshore manuale dhe automjeti tip “Mitsubishi”.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.