Dominic Thiem triumfon në Barcelona Open - Bota Sot
Dominic Thiem triumfon në Barcelona Open

Tenis

Dominic Thiem triumfon në Barcelona Open

Më: 29 prill 2019 Në ora: 08:59
Dominic Thiem

Dominic Thiem mundi bindshëm rusin Daniil Medvedev në finalen e turneut të Barcelonës dhe sportisti austriak u bë kështu edhe tenisti i dytë, pas zviceranit Roger Federer, me dy tituj të fituar në vitin 2019.

Ditën e shtunë Thiem i shkaktoi humbje kampionit në fuqi dhe njëherësh edhe dominuesit të turneut të përvitshëm të kryeqendrës së Katalunisë “Conde de Godo”, pra “Mbretit” të fushave me dhe, spanjollit Rafael Nadal, që kryeson me 11 trofe, megjithatë, ashtu siç pritej, numri 5 i botës natyrisht respektoi parashikimet, duke e thyer në vetëm dy sete 23-vjeçarin moskovit, që sigurisht vuajti ndjeshëm edhe pasojat e fitores tepër të mundimshme në fazën gjysmëfinale, pas afërsisht dy orë e gjysmë lojë ndaj numrit 7 të botës, Kei Nishikori.

Numri 14 i botës luajti finalen e parë në karrierë në këtë lloj sipërfaqe, fakt vërtet interesant duke pasur parasysh që Daniil Medvedev nuk mund të konsiderohet aspak si një specialist në “clay” dhe kishte fituar vetëm 1 takim në 10 ndeshjet e zhvilluara në total në dy sezonet 2017 dhe 2018, gjithsesi tenisti rus e filloi shkëlqyeshëm duelin, duke i rrëmbyer shërbimet që në start 25-vjeçarit nga Wiener Neustadt.

Nga disavantazhi 0-3 Thiem dominoi ndeshjen dhe fitoi 12 nga 13 game-t në vazhdim, për të mbyllur gjithë takimin me rezultatin 6-4, 6-0. Nëse seti i parë zgjati 52 minuta, në të dytin numri 5 i botës u tregua i pamëshirshëm, teksa mbylli llogaritë në vetëm 20 minuta, duke i lëshuar vetëm pesë pikë gjithsej kundërshtarit.

Kjo ishte sfida e dytë ndërmjet tyre dhe, me sa duket, përballjet me sportistin rus i sjellin vërtet shumë fat tenistit austriak, pasi edhe fitorja e fazës çerekfinale në shtator të vitit të kaluar ndaj sportistit moskovit i hapi rrugën tenistit nga Wiener Neustadt për të siguruar trofeun edhe në turneun e St. Petersburgut, transmeton SuperSport.

Për Dominic Thiem ky është titulli i 13 në karrierë dhe trofeu i dytë gjatë vitit 2019, pas suksesit në Mastersin e Indian Wells-it, ku mposhti në finale veteranin helvet, Roger Federer.

Tenisti austriak përfitoi gjithashtu edhe çekun e majmë gjysmë milionë euro, ndërsa për tenistin rus kjo ishte finalja e dytë e humbur e këtij sezoni pas disfatës së pësuar në janar në Brisbane nga Nishikori, sidoqoftë me 300 pikët e grumbulluara në pjesëmarrjen e tij të parë në Turneun e Barcelonës, Medvedev, që sivjet krenohet me triumfin në Sofje, të paktën do të përmirësohet me një pozicion në klasifikimin e përgjithshëm ATP, duke kaluar në renditjen botërore bashkëkombësin e tij, Karen Kachanov.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...