Nadal-Federer në gjysmëfinalet e Wimbledon, pas 11 vitesh rikthehet sfida epike

Tenis

Nadal-Federer në gjysmëfinalet e Wimbledon, pas 11 vitesh rikthehet sfida epike

Më: 10 korrik 2019 Në ora: 21:43
Nadal-Federer

Në vitin 2008, në finalen e Wimbledon, Rafael Nadal fitoi 3-2 ndaj Roger Federer, duke triumfuar për herë të parë në turneun londinez të fushave me bar (e ka fituar këtë turne edhe në vitin 2010). Që nga ajo kohë, Federer dhe Nadal nuk janë përballur më në turneun legjendar. Gjithsesi, pas 11 vitesh, ëndrra e tifozëve londinezë do të bëhet sërish realitet.

Tenisti spanjoll Rafael Nadal fitoi sot në mbrëmje 3-0 ndaj rivalit amerikan Sam Querrey në çerekfinale (7-5, 6-2, 6-2), duke siguruar një biletë për në gjysmëfinale. Përballë do të ketë pikërisht Roger Federer, mikun dhe rivalin e tij të përjetshëm, në një tjetër përballje epike.

Një gjysmëfinale ëndrrash që do të zhvillohet pas 48 orësh. Nadal e Federer u përballën edhe në gjysmëfinalet e Roland Garros një muaj më parë (spanjolli fitoi 3-0), por në Londër kjo sfidë legjendash mungon prej 11 vitesh, një përjetësi.

Sfida çerekfinale mes Nadal e Querrey ishte një formalitet për spanjollin, që vetëm në setin e parë hasi disi rivalitet nga amerikani. Më pas, Nadal diktoi në fushë duke bërë ligjin dhe triumfoi me lehtësi, duke avancuar më tej. Në gjysmëfinalen tjetër të Wimbledon do të luajnë Djokovic dhe Bautista Agut.

Gjysmëfinale – Meshkuj

Novak Djokovic – Roberto Bautista Agut

Roger Federer – Rafael Nadal

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat