Nadal, Djokovic apo Federer, kush do të jetë mbreti i turneve Slam?

Tenis

Nadal, Djokovic apo Federer, kush do të jetë mbreti i turneve Slam?

Më: 12 tetor 2020 Në ora: 21:19
Rafael Nadal

Rafael Nadal mbrojti me sukses titullin në Roland Garros nga sulmi i numrit 1 të botës Novak Djokovic, duke u barazuar në kuotën 20 përsa i përket turneve të mëdhenj të fituar në karrierë me të madhin Roger Federer.

Prej dy muajsh veterani zviceran ka hyrë në rrugën e tij drejt të 40-ave dhe me shumë gjasa sezoni i ardhshëm do të jetë edhe i fundit në karrierën e gjatë dhe plot suksese për mjeshtrin e madh helvet, kështuqë cështja e vendit të parë përsa i përket trofeve të fituar në turnetë e Grand Slam-it do të zgjidhet mes dyshes Nadal–Djokovic.

Marrëdhëniet e Noles me dy tenistët e tjerë janë përkeqësuar ndjeshëm, sidomos pas këmbënguljes së 33-vjecarit nga Serbia për të zëvendësuar presidentin e mëparshëm Chris Kermode dhe emërimit të italianit Andrea Gaudenzi në krye të Federatës ATP, sidoqoftë shumë ka influencuar gjithashtu edhe zgjedhja e tij fillimisht si kryetar i këshillit të lojtarëve dhe më pas dorëheqja e tij e papritur në muajin gusht nga ky post, me synimin për të krijuar një organizëm të ri që mbron interesat e tenistëve, me një format krejtësisht të ndryshuar.

Gjërat janë vërtet shumë të paqarta në këtë aspekt dhe një iniciativë e tillë ka ngjallur polemika të shumta, gjithsesi është fakt që në vend që të ngushtonte diferencën numri 1 i botës tashmë distancohet akoma më shumë nga dyshja kryesuese Federer–Nadal. Nole ishte padyshim tenisti më në formë përpara finales së madhe në dheun e kuq të Parisit dhe duke lënë mënjanë skualifikimin që i ndodhi në US Open, pas goditjes me top në mënyrë të pavullnetshme të gjyqtares së vijës, Novak Djokovic zbriti në fushën qendrore Philipp Chatrier pa asnjë humbje të vërtetë.

Duke llogaritur vetëm ndeshjet “singles” Djokovici regjistroi gjatë vitit 2020 një ecuri pozitive me plot 31 fitore radhazi. Në një vit të vështirë si ky i sivjetshmi, ku gjithcka ndaloi për shkak të frikës së përhapjes së pandemisë së koronavirusit 33-vjecari nga Serbia ka fituar me radhë në Australian Open, Dubai, Neë York, ku triumfoi në Mastersin Sothern & Western Open që këtë herë për shkak të virusit Covid–19 nuk u zhvillua në Cincinnati por në Komplesin Billy Jean King ku zhvillohen ndeshejt e turneut US Open, si dhe Mastersin e Romës. Pra me 5 finale, 4 turne të fituar dhe 31 ndeshje pa humbje që të gjithë mendonin se të paktën Djokovic do të ishte në gjendje për të rivalizuar me Rafën, në takimin përmbyllës të këtij edicioni në Roland Garros.

Një ditë përpara finales plot mendjemadhësi trajneri kroat i Noles Goran Ivanisevic deklaroi për mediat se tenisti që ai stërvit ishte përgatitur në mënyrën më të mirë të mundshme për të regjistruar një fitore të madhe, në përmasa spektakolare. Duke fituar në Wimbledon, 19 vjet më parë Ivanisevic u bë i pari tenist që ia doli mbanë për të triumfuar në një turne Slam, si rrjedhojë e një ftese të marrë nga organizatorët, sepse asokohe tenisti kroat pozicionohej vetëm i 125 në renditjen botërore. Sigurisht me një përvojë të tillë dhe për emrin që përfaqëson në historinë e këtij sporti Ivanisevic duhej të ishte treguar shumë më i matur dhe ta kishte kursyer një premtim të tillë bosh, për më tepër dihet Rafael Nadali është Mbret i Francës dhe Roland Garros veterani iberik nuk i druhet askujt.

Rafa zbriste në fushën qendrore me statusin e kampionit në fuqi dhe pa u lodhur shumë, natyrisht edhe prej shortit më të lehtë, që i vuri përballë një tenist të lodhur si argjentinasin shtatshkurtër Diego Schëartzman, që vuajti pasojat e fitores ndaj austriakut Dominic Thiem, pas një takimi që zgjati plot pesë orë lojë, ndërsa në krahun tjetër Djokovici pati nevojë për katër orë lojë për të thyer qëndresën e 22-vjecarit grek Stefanos Tsitsipas. Nole kishte fituar 3 nga 4 sfidat e fundit mes tyre dhe kryesonte me bilancin e përgjitshëm 29-26, ndërsa Rafa në krahun tjetër u paraqit në Kompleksin Roland Garros me vetëm 3 ndeshje të luajtura gjithsej, pas ndërprerjes së gjatë për shkak të pandemisë së koronavirusit, edhe ato të luajtura në “Qytetin e Përjetshëm”, në Foro Italico ku Nadali u eliminua në vetëm dy sete pikërisht nga Schëartzman që në fazën çerekfinale.

E pra finalja për të kushedisatën herë nuk pati fare histore. 34-vjecari nga Majorka e poshtëroi me 0 në setin hapës numrin 1 të botës, ndërsa pas dicka më shumë se një orë e gjysmë lojë Nadali kishte epërsinë e dy seteve, sidoqoftë gjëja që bënte përshtypje ishin thjesht dy game-t e vetëm që arriti të bëjë bashkë tenisti mendjemadh serb. Pas një lloj rezistence në setin e tretë Rafa mbylli llogaritë 6-0, 6-2, 7-5 duke fituar për herë të katërt radhazi Turneun e Madh të Francës. Kampioni në fuqi jo vetëm që mbrojti me sukses titullin, por fitoi për herë të 13 në karrierë Kupën e Musketierëve, duke u shkëputur kështu akoma më shumë nga një rival i drejtpërdrejtë sic është Novak Djokovic. Statistikat e Nadalit në Roland Garros janë vërtet të frikshme.

Fitorja ndaj Noles ishte e 100 në 102 takime që ka luajtur gjithsej në dheun e kuq të Parisit, në harkun e 15 vjetëve, ndërsa suksesi i ditës së dielë është i 6 në 7 përballjet direkte ndërmjet tyre në Turneun e Madh të Francës. Asgjë nuk mbyllet këtu, rivaliteti do të vazhdojë akoma edhe për pak, të paktën edhe për sezonin e ardhshëm, duke filluar ndoshta që nga Australian Open, me Melbourne Park-un që ngjan si oborri i shtëpisë së tenistit të famshëm serb, pasi Nole ka triumfuar aty plot 8 herë në karrierë, megjithëse është e qartë që herët apo vonë stafetën do ta marrin në dorë tenistët e brezit tjetër, e vetëm atëherë të gjithë do të jemi në gjendje për të bërë me qetësi edhe një bilanc përfundimtar përsa i përket treshes Federer–Nadal–Djokovic. 

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat