​VV përplaset me AAK për emërimin si konsull të djalit të Haxhi Shalës

Aktuale

​VV përplaset me AAK për emërimin si konsull të djalit të Haxhi Shalës

Më: 10 dhjetor 2020 Në ora: 14:03
Foto ilustrim

Dekreti për emërim të djalit të deputetit Haxhi Shala konsull në qytetin e Pragës ka përplasur Lëvizjen Vetëvendosje me zyrtarët qeveritarë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Ndonëse këtë vendim e ka shfuqizuar ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, gjatë seancës së sotme plenare, deputetët ngritën dyshimin se kjo është bërë për pazare politike, por qeveritarët mohuan këto pretendime dhe arsyetuan emërimin.

Sipas të dytit të qeverisë, Besnik Tahiri dhe ministres së Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla për këtë vendim janë respektuar të gjitha procedurat dhe se Flakron Shala i ka pasur të gjitha përgatitjet akademike për një post të tillë.

Por me këtë nuk u pajtua deputetja Fitore Pacolli-Dalipi, e cila tha se shërbimi i jashtëm po shfrytëzohet për tregti politike. Ajo pyeti zëvendëskryeministrin Tahiri se a qenë pjesë e marrëveshjes politike ndërmjet AAK-së dhe LDK-së një vendim i tillë.

Pacolli-Dalipi: A ka qenë pjesë e marrëveshjes që të dërgohet djali i Haxhi Shalës konsull?

“Shërbimi i jashtëm është shfrytëzuar për pazare politike të këtyre partive politike, e jo për të përfaqësuar e avancuar interesat e Kosovës. Nuk janë të pakta rastet e shërbimit, kur një votë e një deputeti është shkëmbyer me pozitë jashtë shtetit në shërbimin e jashtëm. Emërimi i djalit të deputetit Haxhi Shala është pjesë e pazareve politike. Atëherë nëse mundet të përgjigjet përfaqësuesi i zotëri Hotit këtu, se a ka qenë pjesë e marrëveshjes që të dërgohet djali i Haxhi Shalës konsull”, tha ajo.

E kategorik kundër kësaj u shpreh i dyti i qeverisë, Besnik Tahiri, i cili tha se një emërim i tillë nuk ka të bëjë fare me marrëveshjen e koalicionit. Ai ngriti shqetësimin se shumë fëmijë të politikanëve po anatemohen për punësim në sektorin publik, përkundër përgatitjes profesionale.

Tahiri: Ka një përgatitje të avancuar akademike, i ka përcjellë të gjitha procedurat

“Në asnjë moment nuk kemi diskutuar që çështjen që e ngrite në fjalë me qenë marrëveshje e koalicionit. Mund të konfirmoj që nuk ka qenë marrëveshje e koalicionit. Mos të harrojmë, shumë fëmijë të politikanëve të cilët kanë aftësi profesionale janë të anatemuar për punësimet në sektorin publik. Pse po them, unë njoh shumë, por nuk po dua të përmend emra dhe t’i paraqes si viktima, por aq shumë është i ngarkuar diskursi publik, sa pa marrë parasysh një fëmijë i një politikani nesër të konkurrojë e me qenë më i miri, do të thonë se ka hyrë në punë për shkak të babës apo nënës. Rasti në fjalë ka një përgatitje të avancuar akademike, i ka përcjellë të gjitha procedurat që i ka bërë ministria, fatkeqësisht ka qëlluar të jetë djali i Haxhi Shalës”, tha ai.

Por deputetja e LVV-së, Fitore Pacolli-Dalipi insistoi në këtë çështje, duke pyetur ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës pse nuk janë respektuar procedurat për një emërim të tillë.

Pacolli-Dalipi: Na tregoni procedurat që keni ndjekur për emërimin e Shalës konsull në Pragë

“A mund të na tregoni procedurat që keni ndjekur për të emëruar zotëri Shala konsull në Pragë”, pyeti ajo.

Kryediplomatja Meliza Haradinaj-Stublla tha se gjitha vendimet e saja janë në përputhje me ligjin dhe Kushtetutën e vendit.

Haradinaj-Stublla: Gjitha vendimet janë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet

“Gjitha vendimet janë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet. Janë vendime plotësisht me praktikën e deri tanishme. Nuk ka dhe nuk do të ketë nënshkrim timin në vendimin që janë të jashtëligjshme, ashtu siç po aludoni”, tha ajo.

Derisa kritikoi edhe deputetët për mos miratim të Projektligjit për shërbimin e jashtëm. E këtu e menjëhershme ishte në reagim, kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, e cila tha se arsyeja pse nuk është miratuar legjislaturën e kaluar ishte tendenca për politizim.

Vjosa-Osmani: Arsyeja ka qenë tendencat për politizim të skajshëm

“Arsyeja pse nuk është miratuar Ligji për shërbimin e jashtëm kanë qenë tendencat për politizim të skajshëm”, tha ajo.

Ndryshe, Flakron Shala ishte dekretuar më 20 tetor në pozitën e Konsullit të Përgjithshëm në Pragë. Emërimi i Shalës në këtë pozitë kishte ardhur pas rekomandimit të ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Stublla- Haradinaj, e cila përmes një shkrese të datës 28 shtator.

Vota e deputetit Haxhi Shala ishte konsideruar si vendimtare për këtë Qeveri. Madje Shala në seancën e 3 qershorit kishte deklaruar se ish-presidenti Hashim Thaçi dhe ish-kryeministri Ramush Haradinaj e kishin vizituar pas mesnate për t’ia ndërruar mendjen për të votuar pro Qeverisë Hoti.

Ndërkohë ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, ka shfuqizuar katër dekrete për konsuj të përgjithshëm në Pragë, Lubjanë, Shkup dhe Tiranë, në mesin e tyre edhe Flakron Shala.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat