Flasin familjarët e njërit prej të arrestuarve në kufirin me Serbinë

Aktuale

Flasin familjarët e njërit prej të arrestuarve në kufirin me Serbinë

Më: 13 dhjetor 2020 Në ora: 21:53
Foto ilustrim

Gjatë ditës së djeshme rreth orës 13:00, Policia e Serbisë ka arrestuar dy shtetas të Kosovës.

Ata dyshohet se kanë hyrë gabimisht në territorin që i takon Serbisë.

Të arrestuarit janë Blerim Maqastena, Asambleist i Pavarur në Komunën e Podujevës si dhe Berat Mexhuani.

Fazli Maqastena, vëllau i Blerim Maqastenës i tha Klan Kosovës se ata po mbahen në paraburgim.

“Vëllai im edhe një fqinj i yni kanë dalë për të shëtitur në Mirovc edhe dyshohet se mund të kenë hyrë në territorin e Serbisë aksidentalisht. Sipas asaj çka kemi arritur të kuptojmë nga Policia e Kosovës, në atë pjesë ka pasur shumë mjegull dhe ata kanë mundur ta humbin edhe rrugën”.

“Ne kemi kontaktu me çdo instancë që kemi pasur mundësi. Nga ajo çka kemi marrë vesh ata po mbahen në paraburgim ose në Burgun e Prokuples ose në Kurshumli”.

Maqastena tregon se ka kontaktuar me avokatin e të arrestuarve.

“Kam kontaktuar edhe me avokatin e tyre. Atë ia kanë caktuar pa i pyetur këta për shkak se këta nuk kanë pasur mundësi të sigurojnë avokat. Ai ka ardhur nga Beogradi, dhe nuk i kanë lënë me i marrë pyetje ata pa avokat”.

Ai thekson se avokati i ka treguar atij se edhe vëllai por edhe fqinji i tij janë mirë.

“Avokati më ka thënë se ata janë mirë dhe po mbahen mirë. E pyeta a janë gjallë? – më tha: ”po gjallë janë“”.

Por, vëllai i asambleistit të Komunës së Podujevës ka dyshime se dy kosovarët mund edhe të keqtrajtohen.

Madje Fazli Maqastena, ka frikë se atyre po u ndodh më e keqja.

“Avokati më tha mirë janë. Por, unë nuk kam më shumë informacione.

Nuk kam arritur të kontaktoj me ata. Nuk e di, se në çfarë gjendje janë – A mos po i maltretojnë? Ose nuk kemi siguri se a janë së pari gjallë?”.

Rastin e arrestimit të Blerim Maqastenës dhe Berat Mexhuanit, e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës, nga zëdhënësi Daut Hoxha.

Arrestimi i Maqastenës është konfirmuar nga zyrtarja e PSD-,së Natyra Kuçi.

Kuçi tha se janë informuar për arrestimin e Maqastenës dhe se për këtë kanë biseduar edhe me vëllaun e tij.

“Po Blerimi është arrestuar. Në ecje e sipër në mjegull ka kalu në territorin e Serbisë dhe është arrestuar. Kam biseduar me vëllaun dhe ende nuk është liruar. Blerimi ka njoftu autoritetet tona që ka shkel në Serbi dhe autoritetet e Serbisë veç e kanë arrestuar”, tha Kuçi

Ndryshe lajmi për arrestimin e dy qytetarëve të Podujevës, Blerim Maqastena është konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës, të cilët thanë se kanë kontaktuar me autoritetet përgjegjëse në Serbi, ku edhe kanë marrë konfirmimin për arrestimin e tyre.

“Pas pranimit të informacionit se dje pasdite dy persona afër fshatit Mirovc-Merdar mund të jenë çorientuar si pasojë e mjegullës dhe mund të kenë dalur në territorin serbë, Policia e Kosovës ka ndërmarr veprime te menjëhershme dhe është interesuar duke kontaktuar edhe palën tjetër në kufi, ku nga zyrtarët kompetent të pikëkalimit kufitar me shtetin fqinjë ka marr konfirmimin nga ta se dy personat shqiptarë të Kosovës janë ndaluar nga autoritetet policore serbe, janë duke e trajtuar rastin e tyre dhe sipas tyre nuk mund të japin më shumë informacione për shkak të procedurave të mëtejme”, thanë nga Policia e Kosovës.

Duhet përkujtuar që ky nuk është arrestimi i parë që bëhet nga autoritetet serbe dhe se në plot raste këto arrestime shkuan edhe më larg me burgosjen e tyre për muaj të tërë.

Ndryshe nga Ministria e Punëve të Jashtme ende nuk pati ndonjë deklaratë lidhur me zhvillimet që kanë të bëjnë me arrestimin e dy qytetarëve të Podujevës nga policia e Serbisë

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat