Osmani: Së shpejti në Tiranë do të vendoset shtatorja e Ibrahim Rugovës

Aktuale

Osmani: Së shpejti në Tiranë do të vendoset shtatorja e Ibrahim Rugovës

Më: 18 dhjetor 2020 Në ora: 14:29
Vjosa Osmani dhe Erion Veliaj

Presidentja në detyrë Vjosa Osmani është nderuar nga kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj me çmimin “Çelësi i Tiranës”, që simbolizon shtëpinë e një vendi që duhet të jetë shtëpi e gjithë shqiptarëve.

Me këtë rast, Veliaj u shpreh i lumtur për vizitën e Osmanit në Tiranë, teksa pati fjalë të mira për punën e saj.

Ai tha se çmimi “Çelësi i Tiranës” simbolizon shtëpinë e një vendi që duhet të jetë shtëpia e gjithë shqiptarëve. Ai shprehi vullnetin e tij të plotë që të punojë në realizimin e tematikave që ishin dakorduar me Osmanin.

Pas takimit u bë e ditur edhe se së shpejti në Tiranë do të vendoset shtatorja e ish-presidentit Ibrahim Rugova.

“Janë shumë i lumtur që jeni në Tiranë. Dua të ju dhuroj ‘çelësin e Tiranës’, si simbol i një dere të hapur, si një simbol i një vendi që duhet të jetë shtëpia jote, shtëpia e gjithë shqiptarëve. Mezi pres që ato iniciativa që folëm sot, ato me komuna apo çdo temë tjetër, sidomos për fuqizimin e rolit të grave dhe vajzave në politikë, t’i bëjmë realitet. Kështu që shpresoj shumë që skuadrat tona të përbashkëta do t’i ndjekin këto porosi dhe kur të vijmë ne për vizitën e kthimit të kemi mundësi t’i realizojmë disa nga këto iniciativa”, u shpreh ai.

Edhe ushtruesja e detyrës së Presidentit, Vjosa Osmani tha se Tirana është e të gjithë shqiptarëve.

Ajo u shpreh e bindur se me bashkëpunimin e mirëfilltë mes Prishtinës dhe Tiranës do të nxisin edhe bashkëpunimin e komunave tjera mes dy vendeve.

“Tirana është e të gjithë shqiptarëve, prandaj edhe përgjegjësia juaj është e shumëfishtë në krahasim me çdo kryetarë komune në Kosovë, në Shqipëri apo edhe në vendet tjera ku banojnë shqiptarët, dhe presim që bashkëpunimin ta intensifikojmë jo vetëm ndërmjet Prishtinës dhe Tiranës, por presim që të shërbejmë edhe si shembull për komunat tjera, për arritjet në çdo fushë”, tha Osmani.

E së shpejti në Tiranë do të jetë edhe shtatorja e ish-presidentit Ibrahim Rugova si dhe do të nderohet figura e ikonës së muzikës shqipe, Nexhmie Pagrausha. Kjo cështje u diskutua në takimin e sotëm të Osmanit dhe Velijajt.

“Diskutuam që ta kemi së shpejti edhe shtatoren e presidenti historik Ibrahim Rugova në Tiranë si një njeri që ka dhënë jo vetëm për Kosovën por për gjithë shqiptarinë dhe po ashtu ta nderojmë edhe figurën e madhe të yllit të muzikës shqiptare, Nexhmie Pagarusha e cila nuk na jaka dhënë vetëm zërin e saj por edhe shembullin e saj të ngritjes së grave. Edhe sot e ndjekim si shembull jo vetëm për vetveten tonë por edhe për vajzat”, tregoi Osmani.

Pas këtij takimi, Osmani është pritur edhe nga ish-presidenti i Shqipërisë, Sali Berisha.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat