Privilegji për ish komandantin, Rexhep Selimi merr pagë edhe nga burgu

Aktuale

Privilegji për ish komandantin, Rexhep Selimi merr pagë edhe nga burgu

Më: 21 dhjetor 2020 Në ora: 14:02
Rexhep Selimi

Që nga 3 nëntori kur ishte paraqitja e tij e fundit në seancën e Kuvendit të Kosovës, Selimi më nuk mund të jetë pjesë e kësaj legjislature pasi po ballafaqohet me drejtësinë.

Përkundër që ndodhet në Hagë, shefi i grupit parlamentar të LVV-së, Rexhep Selimi, nuk ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë që ka në Kuvend dhe vazhdon të paguhet rregullisht.

E në vend të tij, subjekti që i takon Selimi vetëm ka emëruar një ushtrues detyre, por edhe e ka zëvendësuar me një deputet të ri.

Media ka kontaktuar me zëdhënësin e VV, Përparim Kryeziun, në lidhje me dorëheqjen apo largimin e Rexhepi Selimit nga ky post. Ai ka deklaruar se nuk kanë ndërmend ta bëjnë një gjë të tillë, pasi për ta anëtari i tyre është i pafajshëm.

“z.Selimi vazhdon të jetë kryetar i Grupit tonë Parlamentar. Në mungese të tij fizike, ne kemi caktuar deputetin, njëherit anëtarin e Kryesisë, Librun Aliun si ushtrues i detyrëës së kryetarit te Grupit Parlamentar. Kemi vepruar kështu në shenjë të solidarizimit dhe përkrahjes ndaj tij, duke besuar në pafajësinë e tij.” – deklaroi Kryeziu.

Edhe pse kanë kaluar pothuajse dy muaj që Selimi nuk mund të kryejë aktivitetin e tij politik në Kuvend, ai vazhdon të ketë këtë mandat edhe për së paku 4 muaj të tjerë.

Në një përgjigje nga zyra për media e Kuvendit të Kosovës e kanë konfirmuar se Selimi vazhdon të jetë deputet i Kosovës, pasi që ende nuk kanë pranuar ndonjë shkresë të dorëheqjes.

“Deri tani Kuvendi nuk ka pranuar ndonjë shkresë për dorëheqje të deputetit Rexhep Selimi” – thuhet në përgjigje.

Tutje thuhet se ai vazhdon të paguhet.

“Po, vazhdon të paguhet. Për më tepër, referojuni nenit 70 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës” – thonë nga Zyra për media e Kuvendit.

Bazuar në Rregulloren e  Kuvendit, neni 25 Humbja e statusit të deputetit të Kuvendit pika e, i bie që në rast se Selimi nuk e ofron dorëheqjen, ai do të marrë rrogë nga Kuvendi deri më datë 3 maj, atëherë edhe kur bëhen gjashtë muaj prej mungesës së tij në seanca e aktivitete tjera të Kuvendit.

“e) në periudhën gjashtëmujore nuk merr pjesë në asnjë mbledhje të Kuvendit. Nëse deputeti nuk ia dëshmon faktet bindëse për çështjen Kryetarit të Kuvendit, Kryetari e kërkon rekomandimin e komisionit për Mandat, Imunitet dhe Rregullore. Pas rekomandimit të Komisionit Kryetari ia propozon Kuvendit pushimin e funksionit të deputetit. Kuvendi vendos për çështjen në mbledhje të radhës, Ligji.”

E deri në skadimin e mandatit, Selimi nga shteti pritet të marrë rreth 10 mijë euro, pasi për çdo muaj sipas pagës bazë një deputet i merr rreth 1 mijë e 547 euro.

Rexhep Selimi u arrestua me 5 nëntor nga Gjykata Speciale pasi iu konfirmua aktakuza për krime lufte dhe se deri më tani është paraqitur 4 herë para trupit gjykues.

Nga pozita e deputetit ka dhënë dorëheqje ish-kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, që më pas u zëvendësua nga Fadil Nura.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat