Supremja e kthen në rigjykim rastin e të akuzuarit që i veshi eksplozivin fëmijës së tij tre vjeçar

Aktuale

Supremja e kthen në rigjykim rastin e të akuzuarit që i veshi eksplozivin fëmijës së tij tre vjeçar

Më: 30 dhjetor 2020 Në ora: 11:48
Ilustrim

Gjykata Supreme e ka kthyer në rigjykim në shkallë të parë, rastin ku Visar Qukovci po akuzohet për keqtrajtim të fëmijës së tij.

Qukovci po akuzohet nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) se gjatë vitit 2017, në Siri, kishte detyruar fëmijën e tij U.Q, i moshës tre vjeçar që të vendos jelekun me eksploziv, duke i dhënë edhe pushkën automatike në dorë, e duke i thënë “merre kallashin dhe gjuaj bam, bam”, e që të gjitha këto veprime i ka incizuar me kamerë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Për këtë vepër penale, Qukovci ishte shpallur fajtor nga Gjykata Themelore në Prishtinë dhe ishte dënuar me dy vjet burgim dhe 500 euro gjobë. Pas ankesës së PSRK-së, Gjykata e Apelit ia kishte ashpërsuar dënimin Qukovcit ashtu që të njëjtit, i kishte shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej tre viteve për këtë vepër penale.

Kundër këtyre aktgjykimeve, kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatën Supreme ka paraqitur mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Argjent Tigani, për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe shkeljes së ligjit penal.

I njëjti kishte propozuar që kërkesa të aprovohet dhe aktgjykimet e kundërshtuara të anulohen ashtu që çështja të kthehet në rigjykim në gjykatën e shkallës së parë apo të shkallës së dytë.

Në anën tjetër, ndaj kësaj kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë është përgjigjur Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, e cila Supremes i kishte propozuar që të refuzon kërkesën e mbrojtjes si të pabazuar.

Duke vendosur lidhur me këtë pikë, Supremja ka ardhur në përfundim se me aktgjykimet e kundërshtuara, aplikimi i ligjit penal kur i dënuari Visar Qukovci është shpall fajtor dhe është dënuar edhe për veprën penale “keqtrajtimi apo braktisja e fëmijës”, tani për tani nuk është i drejtë ashtu siç me bazë pretendohet në kërkesën e mbrojtësit të të dënuarit.

Sipas Supremes, vepra penale e keqtrajtimit apo braktisjes së fëmijës e cila pretendohet se është kryer në shtetin e Sirisë dhe bazuar në dispozitat ligjore, sipas Supremes, është e qartë se legjislacioni penal i Kosovës për ketë vepër penale nuk mund të zbatohet pa ndonjë marrëveshje ndërkombëtarë apo njohuri se kjo vepër po ashtu është e dënueshme në vendin ku është kryer.

Supremja e ka cilësuar si të gabuar edhe konkludimin e Apelit se në këtë rast, vjen në shprehje Konventa Evropiane për të Drejtat e Fëmijëve.

“Kurse, konkludimi i gjykatës së shkallës së dytë se në rastin konkret vjen në shprehje Konventa evropiane për të drejtat e fëmijëve është i gabuar sepse Konventa obligon të gjitha shtetet nënshkruese të marrin të gjitha masat legjislative për mbrojtën e fëmijëve nga çfarëdo lloj dhune, mirëpo Konventa nuk e përcakton zbatimin e legjislacionit penal të shteteve nënshkruese për veprat penale të caktuara që janë kryer jashtë territorit të tyre ngase kjo çështje rregullohet me legjislacionin penal të brendshëm të secilit shtet” – thuhet në vendimin e Supremes.

Për këtë arsye, Supremja ka vendosur të anulojë aktgjykimet e kundërshtuara sa i përket veprës penale të “keqtrajtimit apo braktisjes së fëmijëve” dhe çështjen ia ka kthyer gjykatës së shkallës së parë në rigjykim.

“Duke pasur parasysh situatën konfliktuoze në shtetin e Sirisë është e qartë se Kosova nuk ka marrëveshje me ketë shtet për bashkëpunim në çështjet penale, mirëpo, me qellim të aplikimit të drejtë të ligjit penal ndaj tani të dënuarit për ketë vepër penale gjykata e shkallës së parë duhet që në rigjykim në përputhje me Ligjin për bashkëpunim ndërkombëtar në çështjet penale përmes rrugëve diplomatike të kërkojë nëse është e mundur transferimi i kësaj çështje penale në Kosovë apo ndihmë juridike të ndërsjelle -shkëmbimi i të dhënave mes organeve kompetente lidhur me legjislacionin penal (a është e dënueshme kjo vepër penale edhe me ligjin penal S.), e pastaj të merr vendim në këtë çështje përkitazi me ketë vepër penale” – përfundon aktgjykimi i Supremes.

Ndryshe, Visar Qukovci ishte shpallur fajtor edhe për veprën penale të “Organizmi dhe pjesëmarrje në grup terrorist”. Për këtë vepër penale, Qukovci ishte dënuar nga shkalla e parë më katër vite burgim. Por, pas ankesave të PSRK-së, Gjykata e Apelit ia kishte rritur dënimin edhe për këtë vepër Qukovcit dhe të njëjtin e kishte gjykuar me pesë vite e gjashtë muaj burgim.

Edhe sa i përket kësaj vepre penale, mbrojtja e Qukovcit kishte ushtruar kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë, mirëpo, Supremja e ka refuzuar kërkesën për këtë vepër dhe e ka vërtetuar dënimin me burgim të shqiptuar nga Apelit.

“Sipas vlerësimit të kësaj gjykate pretendimet e lartcekura nuk janë të bazuara. Sipas dispozitës së nenit 432 të KPP kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë nuk mund të ushtrohet për shkak të vendimit për dënim” – thuhet në aktgjykimin e Supremes sa i përket kësaj pike.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 10 dhjetor 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Visar Qukovci për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist”, nga neni 143, paragrafi 2 të KPRK-së dhe “Keqtrajtimi apo braktisja e fëmijës”, nga neni 250, paragrafi 4 të KPRK-së.

Fillimisht, ai akuzohet se më 28 qershor 2014, së bashku me tani të ndjerin Arbnor Ukzmajli, me paramendim dhe me dashje dhe me përgatitje paraprake me qëllim që t’i bashkëngjitet organizatës terroriste “ISIS” në Siri ka lëshuar territorin e Republikës së Kosovës përmes vendkalimit kufitar Hani i Elezit, ku ka kaluar në territorin e Maqedonisë, pasi ka marrë udhëzimet për mënyrën e rrugëtimit nga Irfan Aqifi.

Sipas aktakuzës, thuhet se kanë udhëtuar përmes rrugëve ilegale nëpër Bullgari e Turqi, ku më pas kanë arritur në Siri dhe në pjesën kufitare janë pritur nga pjesëtarët e ISIS-it, dhe pas identifikimit dhe regjistrimit në formular, si pjesëtar i kësaj organizate ka vijuar trajnim përkatës ku edhe më pastaj ka punuar si infermier në spitalet ushtarake të ISIS-it.

Gjithnjë sipas aktakuzës, thuhet se gjatë kësaj kohe ka qenë i pajisur me uniformë ushtarake, pushkë automatike, si dhe me jelek me eksploziv, duke propaganduar përmes fotografive dhe incizimeve, organizatën terroriste ISIS, e që edhe më 29 dhjetor 2017, është arrestuar nga Forcat Demokratike Siriane, ku ka qëndruar deri më 19 prill 2019, me ç’rast edhe është riatdhesuar në Kosovë.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Qukovci, më 8 shtator 2017, në zonat e konfliktit në Siri, në shtëpinë ku përkohësisht ka banuar, si pjesëtar i organizatës terroriste ISIS, ka detyruar fëmijën e tij U.Q, i moshës tre vjeçar që të përfshihet në aktivitetet ku rrezikohet apo dëmtohet zhvillimi i fëmijës, në atë mënyrë që i vendos jelekun me eksploziv, duke i dhënë edhe pushkën automatike në dorë, e duke i thënë “merre kallashin dhe gjuaj bam, bam”, e që të gjitha këto veprime i ka incizuar me kamerë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat