Elezi: Vendimi i KQZ-së për telefonata, për t’i ikur keqpërdorimeve

Aktuale

Elezi: Vendimi i KQZ-së për telefonata, për t’i ikur keqpërdorimeve

Më: 19 janar 2021 Në ora: 10:35
Valmir Elezi

Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së, në “Aktual”, foli për regjistrimin e aplikimit për votim jashtë vendit, për procesin e verifikimit, si dhe për Qendrën e thirrjeve në kuadër të KQZ-së.

Më tej ai foli për dy ankesat që janë bërë lidhur me thirrjet për verifikimin e votuesve në PZAP dhe GjS, të cilat janë hedhur poshtë, kështu KQZ ka marrë vendim për verifikim të aplikuesve për votim jashtë vendit.

“Aktualisht është duke u zhvilluar periudha e aplikimit për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës, që do të përmbyllet më 21 janar në orën 18.00, sipas kohës lokale”, deklaroi ai.

Tutje, Elezi sqaroi për kushte e të drejtën për të votuar, sipas të cilit të gjithë personat e moshës mbi 18 vjeç dhe të cilët kanë shtetësi të Kosovës kanë mundësi votimi, duke specifikuar, përveç dokumenteve identifikuese, edhe numrin e telefonit, si një element shtesë obligues.

“Ky vendim është marrë vetëm me qëllim identifikimi nëse ai person që ka aplikuar për votim të jetë person i duhur, jo dikush tjetër, pra e gjithë kjo procedurë është për t’i ikur keqpërdorimit të këtij procesi”, sqaroi Elezi.

Zëdhënësi i KQZ-së, ndër të tjera, sqaroi procesin e aplikimit për votim të qytetarëve jashtë vendit, me theks të veçantë në sigurimin e aplikantëve në ruajtjen e të dhënave personale.

Ai, me këtë rast foli edhe për historikun e votimeve nga diaspora në të kaluarën, duke shtuar se tani, falë teknologjisë, procesi i evidentimit të të dhënave personale të aplikantëve për këtë qëllim do të jetë më i lehtë, më saktë e më i shpejtë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat