​Ministri Nitaj merr pjesë në lansimin e Raportit Global të Zhvillimit Njerëzor në Kosovë

Aktuale

​Ministri Nitaj merr pjesë në lansimin e Raportit Global të Zhvillimit Njerëzor në Kosovë

Më: 1 shkurt 2021 Në ora: 16:55
Muharrem Nitaj

Ministri në detyrë i Ekonomisë dhe Ambientit, Muharrem Nitaj, sot ka marrë pjesë në konferencën virtuale të lansimit të Raportit Global të Zhvillimit Njerëzor në Kosovë.

Penalistë të konferencës virtuale ishin edhe përfaqësuesja e përhershme e UNDP-së, Spoljaric Egger dhe ambasadorja e Suedisë në Kosovë, Karin Hernmarck.

Ministri Nitaj tha se ende po përballemi me pasojat e vitit 2020, pasi zhvillimi global u përmbys për shkak të pandemisë COVID-19.

“Me miratimin e Ligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike dhe disa vendimeve shtesë, Qeveria jonë është përpjekur të ndihmojë të gjitha nivelet e shoqërisë në mënyrë që të asistojë në përballimin e krizave. Në disa raste mund të ketë pasur pengesa, por rëndësia e një konsensusi politik në një pandemi globale shëndetësore është jashtëzakonisht e rëndësishme. Duke u përqendruar në rritjen e kapaciteteve shëndetësore-infrastrukturës dhe burimeve njerëzore, ne duam të sigurojmë që shpëtimi i jetës njerëzore është detyra jonë më e rëndësishme”, tha ai.

Nitaj shtoi se zhvendosja drejt energjisë së pastër dhe burimeve të ripërtërirë të energjisë, është thelbësore për të garantuar sigurinë e furnizimit me energji, gjë që e bën Kosovën më tërheqëse për investitorët.

“Një Kosovë më miqësore për investime rrit potencialin për të zhvilluar biznes inovativ dhe të qëndrueshëm, duke rritur punësimin, e veçanërisht punësimin e të rinjve dhe grave”, tha ai.

Ndryshe, hartimi i Raportit Global të Zhvillimit Njerëzor në Kosovë, është mbështetur nga Ambasada e Suedisë në Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat