“Keni thënë se jeni personi më i urryer në Kosovë”: Përplasje në KQZ, Daka del nga mbledhja

Aktuale

“Keni thënë se jeni personi më i urryer në Kosovë”: Përplasje në KQZ, Daka del nga mbledhja

Më: 9 shkurt 2021 Në ora: 14:37
KQZ

(E plotësuar 14:56) - Është mbyllur nën tensione mbledhja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ). Kjo pas deklaratave të përfaqësuesit të VV’së në KQZ, Alim Rama. Ai tha se video-mesazhi për tu bërë thirrje qytetarëve që të marrin pjesë në zgjedhje, nuk duhet të bëhet nga një person që e ka humbur kredibilitetin dhe që e konsideron veten person të urryer.

“Ju vet kryesuese keni deklaruar se jeni personi më i urryer në Kosovë. Nuk po e shoh të arsyeshme që tash video-ftesa të bëhet nga një person që e ka humbur kredibilitetin. Unë kisha kërkuar që KQZ’ja si e tërë të bëj thirrje votuesve për zgjedhje”, ka thënë Rama.

Pas kësaj deklarate të përfaqësuesit të VV’së reagoi edhe Daka.

“A e  keni pyetur ndonjëherë veten se pse kam deklaruar ashtu”, ka thënë Daka.

Në ndërkohë Rama,  tha se ajo vet e ka pranuar një gjë të tillë , përgjigje pas së cilës, Daka bashkë me anëtarët e tjerë e lëshuan sallën dhe braktisën mbledhjen e KQZ’së.

“Po sepse ju vet votuat që mos t’ia lejoni qytetarëve që të votojnë të shtunën apo ti dërgojnë votat të shtunën”, ka thënë Rama.

Ndërsa pas lirimit të mbledhjes, i menjëhershëm ishte edhe reagimi i Sami Kurteshit, i cili këtë veprim të Dakës dhe të tjerëve e ka cilësuar mënyrë qyqare.

“Kjo është mënyrë qyqare e mbylljes së një mbledhje. Është një pyetje që u bë. Nëse e bën një pyetje atëherë duhet ta dëgjosh përgjigjen. Ti vet ke deklaruar që je personi më i urryer”, ka thënë Kurteshi.

***

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka mbajtur mbledhjen e radhës. Kryeshefi Ekzekutiv i Sekretariatit të KQZ-së Burim Ahmetaj ka bërë të ditur se priten të bëhet pranimi i kontingjentit të tretë të pakove me fletëvotimeve nga dy posta.

Ai ka thënë se vetëm me 6 shkurt dhe 8 shkurt është bërë pranimi i më shumë se 5 mijë pakove nga diaspora me fletëvotime.

Sipas tij, pakot do të jenë në mbrojtje të Policisë së Kosovës në ministrinë e Infrastrukturës, ku do të jenë edhe në mbikëqyrje të kamerave, dhe me 14 shkurt pra ditën e zgjedhjeve do të dërgohen në Qendrën e Numërimit të Votave për verifikim të fletëvotimeve.

“Aktualisht është infokosuar në tri operacione që kanë të bëjnë me arritjen e zarfeve përmes postës, furnizimin me material. Deri tani kemi arritur marrëveshje me secilën postë në të cilat kemi një procedurë të rregullt me tërheqjen e materialeve”.

“Procedura është e njëjtë për të gjitha postat e vendi ku do të mbahen të gjitha dërgesat është në ministrinë e Infrastrukturës dhe është i siguruar mirë siç është policia e Kosovës. Sot pritet të marrim dërgesa edhe nga dy posta të tjera. Me 6 shkurt janë pranuar 2 776 pako, me 8 shkurt 2779 pako, pro sekretariati parasheh që me 14 shkurt parasheh të barten në QNR ku do të bëhet edhe vlerësimi i pakove”.

Anëtari i KQZ-së Alim Rama nga VV-ja sërish, ka qenë i shqetësuar se pse anëtarët po i pengon procedimi i zarfeve me fletëvotime që vinë të shtunën.

“Unë nuk e kuptoj pse ju pengon procedimi i zarfeve që vinë të shtunën dhe të gjithë ju e keni shkelur ligjin dhe Sekretariati nuk është në gjendje me na dhënë sepse njerëzit nuk e dinë a janë në listë, por në këtë krim ka marr pjesë edhe  PZAP-ja procedon tërë kohën ankesat, por në ora 18:00 vjen e-mail që nuk i kanë marr parasysh ankesat”.

Mirëpo për këtë ka reaguar, kryetarja e KQZ-së Valdete Daka ku ka thënë se nuk janë në gjyq që t’i japin shpjegime dhe arsyetime anëtarit Alim Rama.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat