Ky është postimi i plotë që po përdoret kundër Jakup Krasniqit në Hagë

Aktuale

Ky është postimi i plotë që po përdoret kundër Jakup Krasniqit në Hagë

Më: 23 shkurt 2021 Në ora: 19:47
Jakup Krasniqi

Jakup Krasniqi akuzohet për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga Prokuroria Speciale në Hagë, por në parashtresat e dorëzuara nga kryeprokurori i Speciales, Jack Smith për të lëshuar urdhërarrest ndaj Krasniqit dhe për ta mbajtur atë në paraburgim, ka gjetur vend edhe një postim që ish-kryeparlamentari i Kosovës e kishte publikuar në Facebook në prill të vitit të kaluar.

Ish-zëdhënësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqi, kishte reaguar ashpër atëherë ndaj deklaratave të Shkëlzen Gashit, që atëherë si këshilltar i kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, kishte thënë në Frontal të T7 se pjesëtarë të UÇK-së kanë vrarë shumë serbë civilë gjatë luftës.

Krasniqi e ftonte Lëvizjen Vetëvendosje të distancohet shpejt nga Gashi, në të kundërtën, thoshte se do të konkludonte se deklaratat e tij janë edhe politikë e LVV-së.

Venkateswari Alagendra, avokate e ish-kryeparlamentarit dhe ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqi ka parashtruar në Apel nëntë faqe material, për t’iu kundërpërgjigjur Zyrës së Prokurorit të Specializuar, që po e përdor këtë postim për të argumentuar se Krasniqi mund të përbëjë rrezik nëse lihet në liri.

Në një pjesë të këtyre parashtresave të avokatës nga Malajzia, përmendet edhe një postim i Krasniqit në Facebook, që e kishte bërë si reagim ndaj deklaratave të Shkëlzen Gashit, ish-këshilltarit të Albin Kurtit. Në atë postim, Krasniqi e quante Gashin “kolaboracionist”, pasi ky i fundit kishte thënë se pjesëtarë të UÇK-së kishin kryer krime gjatë dhe pas luftës.

Sipas avokates Alagendra, një deklaratë e tillë e Krasniqit s’do të duhej të përdorej nga Prokuroria.

“ZPS kërkon të mbështesë vendimin e kundërshtuar duke parashtruar se “Sjellja e fundit e të akuzuarit duhet të interpretohet në mënyrë të arsyeshme si një përpjekje për të nxitur ose nxisin krime kundër personave të tillë dhe / ose një kërcënim që tregon qëllimin e tij për të kryer krimet e së ardhmes ”. ‘Sjellja e fundit’ është një postim në Facebook, i cili i bëri thirrje një partie politike që “të distancohet seriozisht nga patriotizmi i Dick MARTYT”. Edhe nëse dikush nuk pajtohet me zgjedhjen e gjuhës dhe mendimeve të Z. Krasniqi, fjalët e tij nuk mund të interpretohet në mënyrë të arsyeshme si nxitje e krimeve ose si kërcënim për të kryer krime në të ardhmen. Ai nuk ka bërë dhe nuk bën thirrje për ndonjë veprim të dhunshëm ose kriminal”, thuhet në parashtresën e dorëzuar nga Alagendra.

Sipas saj, “mbështetja në këtë postimi për ta justifikuar ndalimin ka qenë e paarsyeshme”.

Më poshtë e gjeni të plotë këtë postim të Jakup Krasniqit, publikuar më më 24 prill 2020:

Unë pres që organet drejtuese të LVV-së, kuptohet nëse Ato janë funksionale, të distancohen seriozisht nga “patriotizmi i Dick Martit”!Nëse ato nuk distancohet, atëherë ato janë politika të VV-së.

ME PAK FJALË

Disa shqipfolës kur i dëgjon e i sheh se si e çka flasin, nuk ka si mos të të vije keq për cektësinë e mendimit që shfaqin në publik, ndoshta nuk është edhe faji i tyre, flasin aq sa edhe dinë. Disa njerëz, kur flasin e shkruajnë për shekujt e robërisë apo për pak vitet e Lirisë, tërë mllefin e tyre e shfryjnë ndaj kontribuuesve të Lirisë e të Lavdisë, kuptohet në krahasim me shekujt e shumët të robërisë!

Edhe sot në medie tona, pretenduesit e majave shtetërore apo ata që janë ngritur në majat shtetërore e bëjnë të njëjtën gjë, sikur vërtet nuk kanë probleme të tjera për rreth tyre, por problemet i kërkojnë dhe i shohin vetëm e vetëm brenda përbrenda kombit e shtetit apo shteteve që i krijuan të virtytshmit e kombit. Mbase edhe nuk kanë faj pasi lloji i njerëzve që kurrë atdheut e kombit nuk ia bënë ndonjë argat për të qenë, kaq shohin e kaq dinë, mbase edhe kaq bëjnë! Të paditurve edhe nuk duhet tua zëmë për të madhe! Kur heshtin të urtët e virtytshëm, axhamive u falet hapësira e veprimit!

Është në natyrën e njeriut të flet atë që dinë! Ndërsa, koha i kërkon ata që dinë dhe kanë integritet në qëndrime e vendimet që koha i kërkon të merren. A koha e jonë i kërkon njerëzit e virtytshëm e me integritet të lartë!

E gjithë historia e jonë e lavdishme na tregon se: Integritetin njerëzit e virtytshëm e tregojnë në kohë të vështira!

Si përfundim: Në vitin 2010, Raportin e Dick Martin e kam quajtur -Raport racist. Çdo shqiptar që D. Martin e quan PATRIOT, qoftë në shërbim të Kryeministrit apo kudo tjetër, është kolaboracionist e në shërbim të politikave gjenocidiste të Millosheviqit!

Unë pres që organet drejtuese të LVV-së, kuptohet nëse Ato janë funksionale, të distancohen seriozisht nga “patriotizmi i Dick Martit”!Nëse ato nuk distancohet, atëherë ato janë politika të VV-së. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat