​Përfundon seanca ndaj ish-krerëve të OVL-UÇK, mbrojtja kërkon 20 korrikun afat për dorëzimin e dosjes paraprake

Aktuale

​Përfundon seanca ndaj ish-krerëve të OVL-UÇK, mbrojtja kërkon 20 korrikun afat për dorëzimin e dosjes paraprake

Më: 24 shkurt 2021 Në ora: 15:12
Nasim Haradinaj

Në konferencën e sotme mbi ecurinë e çështjes së ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, që është mbajtur sot në Hagë, avokatët kanë kërkuar 20 korrikun e këtij viti datë për të dorëzuar dosjen paragjyqësore të mbrojtjes. Këtë thanë se do ta bëjnë nëse respektohet nga ana e Prokurorisë dorëzimin e dosjes së tyre në muajin prill. Avokati i Hysni Guacatit ka deklaruar se do të hetojnë rrethanat e arritjes së pakove me materiale që u lanë në zyrat e OVL-UÇK-së, në shtatorin e vitit të kaluar.

Avokati Jonathan Elystan Rees tha se aktakuza ndaj Gucatit dhe Haradinajt nuk kufizohet vetëm me tre konferenca për media që kishin mbajtur ish-krerët e UÇK-së, por përfshinë periudhë gjashtë mujore, për çka tha se do të hetojnë në tërësi.

Resse: Kërkojmë 20 korrikun datë për dorëzimin e dosjes paraprake

“Ne kemi ndërmend të depozitojmë një dosje paraprake të çështjes nga ana e mbrojtjes, për të cilën ne mendojmë se do të jetë me vlerë për trupin gjykues. Afati që ne propozojmë është më pak sesa 4 muaj pas konfirmimit që i bëhet nga ZPS datës për të përgatitur dosjen e tyre praruake. Ne kërkojmë një afat 20 korrik i vitit 2021 si datë për depozitimin e dosjes paraprake të mbrojtjes, gjithmonë me kusht që do të respektohet data 9 prill nga ZPS. Ne e kemi bërë të qartë nga fillimi se e kemi ndërmend të hetojmë çështjen e rrethanave se si ato tre paketa materialesh erdhën në selinë e OVL-UCK-së. Në këtë moment ZPS nuk ka paraqitur prova në këtë kontekst, por ne dëshirojmë që ta hetojmë këtë aspekt”, tha ai.

E për të kryer hetimet, avokatët deklaruan se po hasin në vështirësi për shkak të masave anti-Covid.

Avokati i Haradinajt, Toby Cadman se u janë anuluar fluturimet për në Kosovë 24 orë përpara kohës që parashihej të realizoheshin.

Cadman: Duhet të kontrollojmë të gjitha materialet e dorëzuara nga Prokuroria

“Nga këto 379 materiale që na janë dorëzuar që përmend prokuroria thuhet se 122 tashmë na janë dorëzuar, ne duhet ta kontrollojmë këtë punë, do të na ndihmonte nëse do të na informonte nëse ka ndonjë paketë veçmas që do të na dorëzohet, sa u përket incizimeve, transkriptimeve e përkthimeve duhet të verifikojmë nëse përkthimet e transkripteve janë të sakta, ne nuk mund të mbështetemi vetëm në fjalën e prokurorisë, çdo gjuhë ka veçoritë dhe dialektet e veta dhe ne nuk mund të pranojmë që ajo që thuhet në transkriptë është ajo që thuhet nga folësi”, tha ai.

Por sipas prokurores Valeria Bolici tha se akuzuarit ngarkohet për krime që pretendohet të jenë kryer përmes shfaqjeve të tyre në konferenca për shtyp, andaj sipas saj përgatitja e mbrojtjes nuk mund të kufizohet me pandemi.

Bolici: Përgatitja e mbrojtjes nuk mund të kufizohet me pandemi

“Në rrethana specifike të kësaj çështje ku aktakuza pretendon se të akuzuarit kanë kryer krime përmes deklaratave apo shfaqjeve të tyre në publik atëherë përgatitja e mbrojtjes nuk mund të kufizohet edhe aq me pandemi. Lidhur me këtë, afati i propozuar për parashtrimin e dosjes paraprake nga mbrojtja duket se nuk përputhet me nevojën për një zhvillim të përshpejtuar të procesit gjyqësor”, tha ajo.

Në konferencën e sotme mbi ecurinë e çështjes prokuroria dhe mbrojtja kanë diskutuar edhe rreth pikave të pajtimit për çështje ligji dhe fakti.

Prokuroja Bocili ka deklaruar se Zyra e Prokurorit të Specializuar do të paraqes pikat e pajtimit për çështje ligji dhe fakti deri më 12 mars por mbrojtja ka thënë se nuk kanë mundësi të respektojnë këtë afat kohor.

Mbrojtja ka deklaruar se nuk mund të përfundojnë përgatitjet e tyre derisa nuk përfundon nxjerrja e gjithë materialit.

Në konferencën e sotme avokatët kanë shprehur shqetësimet e tyre për, siç thanë ata, qasje shpërfillëse nga ana e prokurorisë, deklarata këto që janë kundërshtuar nga prokuroria.

Në konferencën e sotme të Dhomave të Specializuara me seli në Hagë është diskutuar edhe për hetimet e mbrojtjes për çka avokati i Gucatit ka thënë se kanë marrë rreth 3 mijë faqe material që prej 4 janarit dhe se nuk janë kategorizuar të gjitha, duke shtuar se ka edhe 100 orë video-material të regjistruar.

Për të gjitha përkthimet, incizime dhe transkriptimet, avokati i Haradinajt ka deklaruar se duhet të verifikojnë se a janë të sakta.

Ish-krerët e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UCK-së, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj ngarkohen me vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, saktësisht për pengim të personave zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Pas paraqitjes në konferenca për media duke deklaruar se në zyret e tyre kanë arritur materiale që dyshohet të kenë rrjedhur nga Gjykata Speciale, ata u arrestuan më 25 shator 2020 dhe po mbahen në paraburgim në Hagë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat