Osmani e jep lajmin e mirë: Vaksinat për Covid-19 vijnë në javën e parë të marsit

Aktuale

Osmani e jep lajmin e mirë: Vaksinat për Covid-19 vijnë në javën e parë të marsit

Më: 25 shkurt 2021 Në ora: 22:36
Vjosa Osmani

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se dozat e para të vaksinës anti – COVID-19 pritet të arrijnë në javën e parë të muajit mars.

Ajo, në “Kallxo Pernime”, ka thënë se këto informata i ka nga partnerët ndërkombëtarë, ndërsa ka treguar se Kosova do të furnizohet në tri faza të ndryshime me vaksina.

“Ne nuk kemi marrë informata nga Ministria e Shëndetësisë, por në kontakt me partnerët ndërkombëtarë, të cilët dua t’i falënderoj shumë, pra ajo çka jam informuar nga partnerët ndërkombëtarë drejtpërdrejt është që Kosova si pjesë e COVAX, e cila ia mbulon Kosovës 20 për qind të vaksinave për popullatën që e ka, në mars, respektivisht në javën e parë ose të dytë të marsit, të sjell kontingjentin e parë. 

Nuk mund të përmend numër të saktë të vaksinave që do t’i mbulojë kontigjenti i parë, por ato do të përdoren për kategoritë më të rrezikuara, që nënkupton ata që punojnë në sistemin shëndetësor por edhe personat më të vjetër”, ka deklaruar ajo.

“Kontigjenti i dytë pritet në qershor, kurse pjesa tjetër sipas planit dinamik pritet të vijë në shtator. 

Qeveria ka kontaktuar edhe me Austrinë, që të marrë një kontigjent të një vaksine tjetër e cila pritet të pranohet apo miratohet diku në fund të gjysmës së parë të vitit e cila mund të arrijë diku kah shtatori”, tha Vjosa Osmani. 

Ajo ka treguar se pse Kosova ka mbetur prapa për ta siguruar vaksinën anti – COVID-19. 

Sipas saj, vendi ynë ka ngecur që t’i plotësojë disa kushte për ruajtjen e vaksinave.

“Sipas partnerëve ndërkombëtarë janë plotësuar afatet në skemën e tyre, pritet që në dy ditët në vijim të nënshkruhet edhe një marrëveshje me shkrim. 

“Arsyeja pse jemi pas shteteve si Gana, në rastin e iniciativës COVAX, e cila tashmë ka dërguar një numër të dozave në atë shtet, është për shkak se sa jam e informuar unë, është se Kosova ka treguar më shumë vonesa në krijimin e kushteve për mirëmbajtje të vaksinave, i ka marrë më shumë kohë Kosovës”, ka thënë ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat