Kraki: Drenica e Adem Jasharit zgjodhi “prapambetjen” dhe s’u bë kurrë “argate e dreqit”

Aktuale

Kraki: Drenica e Adem Jasharit zgjodhi “prapambetjen” dhe s’u bë kurrë “argate e dreqit”

Nga: A.Zh Më: 5 mars 2021 Në ora: 22:52
Nezir Kraki

Ligjëruesi i marëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Parisit Nezir Kraki, ka thënë se Drenica viteve të fundit, është përballë me fushata linçuese, shkaku i bindjeve të saj politike të pasluftës.

Ai ka thënë se banorët e saj stigmatizohen padrejtësisht nga “gjeneratat jugosllavizuese” të qyteteve me solitera, përcjell Bota sot.

Sipas Krakit, Drenica e Adem Jasharit, meriton respekt dhe përkrahje, jo linçime e tallje.

Ai ka thënë se ka respekt e admirim për njerëzit e Drenicës që zgjodhën “prapambetjen” dhe s’u bënë kurrë “argatë të dreqit”.

Reagimi i plotë i Krakit:

Drenica...

Viteve të fundit Drenica shpesh është përballë me fushata linçuese sidomos shkaku i bindjeve të saja politike të pasluftës.

Ajo shpesh përqeshet edhe për ‘prapambetjen’ e saj në raport me zonat tjera të Kosovës dhe banorët e saj padrejtësisht stigmatizohen nga ‘gjeneratat jugosllavizuese’ të qyteteve me solitera.

Po, Drenica është e prapambetur sepse në ato treva kurrë jugosllavizmi as serbizmi nuk lulëzuan. Ato treva u menjanuan nga partia komuniste dhe u lanë jashtë çdo investimi kapital. Drenica gjatë një shekulli ishte e denuar nga secili pushtet e secili pushtues. Madje ishte e linçuar edhe nga shqiptarët e bashkim-vllaznimit.

Me fjalë tjera, Drenica nuk doli nga dheu në luftën e fundit. Ajo ishte në luftë prej vitit 1912 kur Serbia e pushtonte Kosovën e lënë nga Otomanët. Prandaj Drenica ishte n’takim me historinë kur terrori serb e kaloi çdo kufi. Prandaj në ato treva kishte Adem Jashara e trima tjerë që s’ishin rritë nën dardhën e bashkim-vllaznimit jugosllav, por e kishin luftu atë pa pushim dhe kishin vuajt prej tij.

Prandaj heroizmi vetmohues i Jasharajve nuk duhet të shihet si risi sepse Drenica gjithmonë ka qenë heroike dhe vetmohuese. Ajo meriton respekt dhe përkrahje, jo linçime e tallje.

Unë jam nga Juniku i Dukagjinit dhe jam rritë me tregimet e heroizmit të Drenicës. Ndoshta as 10 vjeç s’kam qenë kur e dija me saktësi kush ishte Shaban Polluzha, falë librave dhe tregimeve të Bacës tim.

Edhe sot e mbaj po atë respekt e admirim për atë rajon trim e t’përvuajtur. Për ata njerëz që zgjodhën ‘prapambetjen’ dhe s’u bënë kurrë argatë të dreqit. Për Adem Jasharin e secilin trim që s’pranoi as Jugosllavinë as Serbinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat