BE i reagon Vuçiqit por jo edhe institucionet e Kosovës

Aktuale

BE i reagon Vuçiqit por jo edhe institucionet e Kosovës

Më: 19 mars 2021 Në ora: 15:53
Aleksandar Vuciq

Postimi i një fotografie ku paraqitet harta e Kosovës me flamurin e Serbisë nga presidenti serb, Aleksandr Vuçiq po shihet si një mungesë vullneti për ecur tutje në dialogun Kosovë- Serbi.

Njohës të çështjeve ndërkombëtare dhe të sigurisë vlerësojnë se kjo është një lojë e Serbisë për t’i bërë shantazh bashkësisë ndërkombëtare për përfitime politike dhe materiale.

E derisa ky postimi i kësaj fotografie ka nxitur reagime të shumta në vend, ishin institucionet shtetërore ato që nuk reaguan fare. As Zyra e Bashkimit Evropian nuk reagoi me kohë, porse këta të fundit ndryshe nga Qeveria e Kosovës, kanë kthyer përgjigje lidhur me këtë çështje.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano thotë në një përgjigje me shkrim se Serbia dhe Kosova duhet të përmbahen nga veprimet dhe deklaratat që janë kundërproduktive për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre dhe punës për arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse.

“BE-ja gjithmonë u ka bërë thirrje të gjithë aktorëve politikë në Serbi, në Kosovë dhe në pjesën tjetër të rajonit që të angazhohen në veprime dhe deklarata që krijojnë dhe promovojnë një atmosferë të favorshme për pajtim, stabilitet rajonal e bashkëpunim, dhe jo e kundërta. Siç kemi thënë shumë herë të tjera gjatë viteve, Serbia dhe Kosova duhet të përmbahen nga veprimet dhe deklaratat që janë kundërproduktive për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre dhe punës për arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse”, deklaron ai.

Profesori i të drejtës ndërkombëtare në Kosovë, Afrim Hoti thotë se një veprim i tillë nga presidenti serb dëshmon më së miri se çfarëdo veprimi që ka ndërmarr Serbia deri më tash, ka qenë vetëm sa për sy e faqe dhe për të përfituar nga komuniteti ndërkombëtar.

Hoti: Veprimi i Vuçiqit tregon mungesë vullneti për dialogun Kosovë – Serbi

“Nëse një gjë e tillë ndërmerret nga presidenti i Serbisë, atëherë kjo tregon një mungesë vullneti dhe gatishmërie që të ecet më tutje. Respektivisht tregon që lidershipi serb çfarëdo veprimi që ka ndërmarrë deri më tash, ka qenë vetëm sa për sy e faqe dhe për të përfituar nga komuniteti ndërkombëtar, ndërkohë që definitivisht dhe në mënyrë stoike u mbeten besnik qëndrimeve si deri më tash”, thotë ai.

Ai shprehet kritik ndaj institucioneve të Kosovës, të cilat nuk reaguan karshi provokimit të Vuçiqit.

Sipas tij, është edhe Brukseli zyrtar që do të duhej të reagonte qartë, në të kundërtën nuk mbetet hapësirë që të vazhdojë dialogu Kosovë-Serbi.

Hoti: Nëse Brukseli nuk del me qëndrim të qartë është e pakuptimtë që të vazhdohet me dialog

“Reagimi i parë do të duhej të vinte nga institucionet e Kosovës, të cilat fatkeqësisht nuk bëjnë asgjë tjetër pos që merren me vetveten. Ato duhet të kuptojnë që politika ndërkombëtare është diçka pak më e madhe sesa vlimet dhe zierjet që bëhen brenda Prishtinës, dhe nëse do të kishim një denoncim nga njëra palë, në këtë rast nga Prishtina zyrtare, do të ishte pritur që të kishim reagim edhe nga Brukseli dhe Ëashingtoni në rastin konkret, sepse këto të dyja janë garantët për zbatimin e marrëveshjeve ndërkombëtare. Mbi këtë bazë, nëse nuk kemi një reagim të qartë dhe konsekuent nga Brukseli, atëherë humbet edhe vetëdija dhe interesi për të negociuar më tutje, sepse nëse nuk respektohen marrëveshjet për të cilat është rënë në ujdi apriori vërtet del e pakuptimtë që të vazhdohet me negocime”, thotë ai.

Kurse njohësi i çështjeve të sigurisë, Drizan Shala thotë se presidenti serb, Aleksandr Vuçiq ka zgjedhur të ‘kërcënoj’ Kosovën në kujtim të trazirave të marsit.

Sipas tij, Serbia qëllimisht po përdorë metoda të tilla për konsum të brendshëm.

Shala: Vuçiqi po dërgon sinjal tek ndërkombëtarët se është lojtar kryesor në dialogun me Kosovën

“Qëllimi i Vuçiqit, ishte një sinjal i drejtpërdrejtë që në këtë fazë mes Amerikës dhe Rusisë është duke u zhvilluar një tension i jashtëzakonshëm dhe ky është një sinjal drejtuar këtyre dy fuqive ndërkombëtare që ‘unë jam lojtar sa i përket dialogut të brendshëm mes Kosovës dhe Serbisë’, i cili është duke u zhvilluar qe një dekadë e më shumë në Bruksel”, thotë ai.

Edhe njohësi i çështjeve të sigurisë, Agim Musliu thotë se presidenti serb, Aleksandr Vuçiq është mashtrues i madh, i cili po përdorë këtë lojë për konsumim të brendshëm, si pjesë të luftës hibride të cilën e luan bashkë me Rusinë.

Musliu shton se problemet e Vuçiqit nuk zgjidhen me statuse në rrjete sociale e as me politika patetike, porse ky i fundit, tenton që në këtë mënyrë të shantazhojë bashkësinë ndërkombëtare për përfitime materiale dhe politike.

“Vuçiqi është një mashtrues i madh. Politikisht, po shfrytëzon rastin kur Bashkimi Evropian nuk është më ai që ka qenë, veçmas tash në pandeminë COVID-19. Harta e tij me flamur të Serbisë e me ato thëniet që lidhen me Kishën Ortodokse, nuk janë gjë tjetër veçse një tregues se ky njeri ka probleme psikologjike. Vuçiqi brenda në Serbi ka problemet e veta. Tash së fundi e pati problemin kur kishte rënë në përgjim duke folur me njerëz të krimit në telefon. Pra kjo i duhet për përdorim të brendshëm”, thotë ai në një përgjigje me shkrim për KosovaPress.

Të shumta kanë qenë reagimet e përfaqësuesve politik karshi provokimeve të presidentit serb karshi Kosovës.

Përballë këtij “kërcënimi” ka reaguar edhe ish-kryenegociatorja për bisedime teknike në dialogun Kosovë-Serbi, Edita Tahiri, e cila i është drejtuar Vuçiqit me pyetjen nëse i mungojnë bombardimet e NATO-s.

“Serbia e Vuçiqit ka dalë me provokime të reja kundër Kosovës, duke treguar mendimin e tij hegjemonik. Një herë në dialogun në Bruksel kur ai provokoi në mënyrë të ngjashme, unë iu përgjigja duke i thënë, ‘duket se të mungojnë bombardimet e NATO-s’. Po ia them sërish!”, ka shkruar ajo.

Përndryshe, fotografia ku shihet harta e Kosovës me flamurin e Serbisë gjendet ende në rrjetin social Instagram të presidentit të Serbisë, Aleksandr Vuçiq.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat