Kuvendi e qeveria presin ditën ‘D’, ...po presidentja?!

Aktuale

Kuvendi e qeveria presin ditën ‘D’, ...po presidentja?!

Më: 21 mars 2021 Në ora: 20:37
Kuvendi i Kosoves

Nesër do të mbahet seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, ku do të betohen deputetët e legjislaturës së tetë, si dhe pritet të zgjidhet kryesia e Kuvendit, dhe pas kësaj edhe formimi i qeverisë së re ‘Kurti 2’ dhe në fund edhe zgjedhja e presidentit të ri.

Pra të hënën do të përkufizohet më se miri ajo që quhet si ‘Dita D’  për Kuvendin e ri, por pas tij, pritet edhe votimi i qeverisë, ku në bazë të rezultateve të fundit të zgjedhjeve, pritet të merr miratimin e deputetëve pa ndonjë problem.

Derisa në bazë të një matematike të thjeshtë, si kryeparlamentar i ri si duket pritet të votohet numri dy i VV-së, Glauk Konjufca, i cili së fundi, ia kishte lëshuar karrigen, Vjosa Osmanit, në koalicionin qeverisës me LDK-në, për të kaluar si kreu i diplomacisë kosovare.

Por për nesër në rend dite sipas Kuvendit do të jenë pikat, si: 'Formimi i Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve, Dhënia e betimit të deputetëve dhe Zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit dhe e nënkryetarëve të Kuvendit'.

Derisa për votimin e kabinetit qeveritar s’ka ndonjë njoftim, por që realisht mund të ndodhë pasi të kryhen pikat e lartcekura.

Megjithatë, ajo që kemi parë deri tash, edhe qeveria ‘Kurti 2’ nuk do të dallojë shumë nga ajo paraprake sidomos me emrat e ministrave, ku këtu përjashtim bëjnë edhe pjesa e ministrave nga lista ‘Guxo’ e Vjosa Osmanit sikur edhe atyre të minoriteteve.

Por ajo që po del në horizont, por që po etablohet si një ‘mision i pamundur’, është edhe votimi për presidentin e ri, e që sipas marrëveshjes do t’i takojë, Vjosa Osmanit, e cila edhe në fushatën zgjedhore ka kërkuar votat për ketë pozitë duke dalë si ma e votuara e listës me mbi 300 mijë vota.

Prandaj është vota në Kuvend për presidenten e re, po pritet me padurim. Por a do të mund të zgjidhet ajo?

Nëse i shohim matematikat e numrave, del që jo, ngase i duhen 80 deputet për të qëndruar në sallë për të ia bërë kuorumin me rastin e votimit.

PDK-ja dhe AAK-ja edhe zyrtarisht ia kanë ‘mbyllur derën’ Osmanit për zgjedhjen e saj si presidente, derisa LDK-ja me kryesinë e re të saj, si duket ia ka lënë vetëm një ‘dritare hapur’, ku kreu i kësaj partie ka shpreh interesim ta takojë Vjosën vetëm pas zgjedhjes së qeverisë së re.

Por se çka do të ndodhë mbetet të shihet, megjithatë kreu i ri i LDK-së e ka bërë të qartë se nuk votojnë president partiak, por lëvizja e Lumir Abdixhkut ndërlidhet edhe me një ‘rikthim të mundshëm’ të listës së Vjosës në grupin parlamentar të LDK-së.

Ku i dihet garda e vjetër e LDK-së ngadalë po e sheh fundit e vetë politik, derisa po ngritët në pozita garda e re, apo siç është quajt me herët ‘Brezi i Republikës’.

Megjithatë ‘kthimi’ i Vjosës, në LDK do të jetë thikë me ‘dy teha’, jo vetëm për karrierën e saj politike por edhe për VV-në, ngase ajo, mund të ketë problem ta sigurojë edhe ndonjë votë nga deputetët e VV-së.

Kjo mbetet për t’u parë, megjithatë nëse Vjosa nuk zgjidhet presidente, atëherë i bie, që Kurti e 'djeg' ketë të fundit, dhe si rrjedhojë, pas kësaj mund të vije në shprehje ndonjë kandidat tjetër konsensual.

Pranvera ka filluar e ftohtë, madje bora e bardhë ka filluar të bie me të madhe, por a do të 'nxehet' moti në këto ditët e para të stinës, gjithçka do të varet edhe prej 'ngjarjeve politike' që na presin nga e hëna e tutje!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat