Kusari-Lila tregon se a do të zgjidhet Presidenti sonte

Aktuale

Kusari-Lila tregon se a do të zgjidhet Presidenti sonte

Më: 2 prill 2021 Në ora: 21:43
Mimoza Kusari-Lila

Mimoza Kusari-Lila, ushtruese e detyrës së shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosjes, ka bërë me dije se seanca e thirrur nga ora 21:30 do jetë vetëm për ndryshim të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, e jo për zgjedhjen e presidentit.

Kusari-Lila këto pohime i ka bërë pak para fillimit të seancës së thirrur për ndryshimin e propozuar nga kryeministri Albin Kurti sot për Ligjin e Zgjedhjeve.

“Seanca është e thirrur për Ligjin e Zgjedhjeve, jo për votim të presidentit. Vetëvendosje nuk po e dërgon vendin në zgjedhje, po e kryen një obligim për një premtim të cilin e kemi dhënë”, deklaroi ajo.

Shefja e GP-së së VV-së pati kritika edhe për opozitën, të cilët e kundërshtuan një propozim të këtillë.

“Në rast se dikush ndihet nga ky ndryshim i Ligjit, problemi nuk ka të bëjë me zgjedhjen e presidentit, por pasigurinë e tyre për të ofruar një proces të qartë që përcjellë vullnetin e mërgatës”, tha ajo.

Propozimi për ndryshim të këtij Ligji, parasheh që mërgatës t’iu mundësohet të votojnë nëpër zgjedhjet parlamentare nga ambasadat dhe konsullatat përkatëse.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat