Tre dëshmitarët rrëfejnë se çka kishin parë e dëgjuar në ditën kritike, në rastin ku Gani Geci akuzohet për vrasjen e Ruzhdi Shaqirit

Aktuale

Tre dëshmitarët rrëfejnë se çka kishin parë e dëgjuar në ditën kritike, në rastin ku Gani Geci akuzohet për vrasjen e Ruzhdi Shaqirit

Më: 16 prill 2021 Në ora: 15:36
Gani Geci

Në rigjykimin për rastin ku Gani Geci po akuzohet për vrasjen e Ruzhdi Shaqirit, që kishte ndodhur më 4 gusht të vitit 2014, në seancën e së premtes janë dëgjuar dëshmitarët Ermal Jusufi, Visar Brahmi dhe Emin Latifi.

Fillimisht është dëgjuar dëshmitari Ermal Jusufi, i cili ka deklaruar se qëndron pranë deklaratës së dhënë në polici dhe në prokurori.

Duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit Naim Beka, dëshmitari ka thënë se i akuzuari Geci kishte dalur nga lokali dhe ishte kthyer nga shkallët, duke shtuar se qysh kishte dëgjuar, i ndjeri Ruzhdi i kishte thënë të akuzuarit “Selam Alejkum”.

“A kanë komunikuar mes vete Ruzhdiu dhe Ganiu?”, ka pyetur prokurori Naim Beka.

“Nuk i kam dëgjuar, mirëpo Ganiu i ka thënë me bo be ku je kanë me një datë, data nuk më kujtohet”, është përgjigjur dëshmitari Jusufi.

Ai tha se kur i akuzuari i ishte drejtuar tani të ndjerit me ato fjalë, ky i fundit tha se i ishte përgjigjur rëndë.

“Çka është ajo rëndë?” e pyeti prokurori Beka, për çka dëshmitari u përgjigj: “Shko n’hamom, diçka qashtu”.

Tutje, dëshmitari tha se ka qenë duke bërë muhabet më një familjar të tij kur kishte dëgjuar krismat, duke shtuar se kanë qenë dy, përafërsisht tri krisma.

“Kur ka komuniku Ruzhdiu e Ganiu, a ke vërejte ndryshim në fytyrat e tyre”, e pyeti prokurori dëshmitarin, i cili u përgjigj: “E kom vërejte një nervozë të Ruzhdisë”.

Ai tha se më herët nuk e kishte njohur të ndjerin Ruzhdi, mirëpo të pandehurin Gani e kishte njohur pak, sepse tha se kishte qenë në parti me babain e tij.

Dëshmitari Jusufi gjithashtu tha se të ndjerit Ruzhdi i kishte dhënë ndihmë.

“Janë kanë dy parë shkallë, ku m’ke pa mu në shkallë, në fillim apo në dalje të sheshit?”, e pyeti i akuzuari Geci dëshmitarin Jusufi, i cili u përgjigj: “Në dalje”.

I njëjti shtoi se distanca mes të akuzuarit dhe të ndjerit kishte qenë diku një metër, apo një metër e gjysme.

Pas dëgjimit të tij, gjykimi ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitarit Emin Latifi, i cili ka deklaruar se është shoku i të pandehurit dhe se qëndron pranë deklaratave të dhëna në polici dhe prokurori.

“Ju e keni pa momentin kur Gania ka dal nga brendia e kafiterisë “N’Qosh”. Në çfarë drejtimi shkon Ganiu në këtë rast dhe a është përshëndet me juve?”, e pyeti prokurori Beka dëshmitarin.

“Ka dal prej kafes dhe shkon drejt me dal prej sheshi dhe nuk u përshëndet me neve. Ruzhdia  e ka përshëndet i pari”, tha dëshmitari Latifi, duke shtuar se përshëndetja kishte qenë me fjalët “Selam Alejkum”, pas së cilës tha se është ndalur i akuzuari në shkallë dhe nga larg i kishte thënë tani të ndjerit: “A i ke pru gjinjën me bo be?”.

“Cili ishte momenti i zbrazjes së armës?”, ishte pyetja e prokurorit Beka për dëshmitarin Latifi.

“Sa me kujtohet janë ngrit në këmbë dhe unë kam hy në mes dhe ju kamë thënë jeni bërë si fëmija dhe Ganiu e ka lëshuar revolen dhe i ndjeri Ruzhdi i ka thënë qit të psh**sha në të, edhe qysh i kanë pasur duart përmbi tavolinë dhe kur i ka thënë të psh**a në të shishja u rrëzua në tavolinë dhe Ganiu ka reaguar. Ai dorën e ka lëshuar poshtë dhe unë jam ngrite në këmbë për me hy edhe një herë në mes me i nda, u rrëzu shishja, ka kërsit alltia”, deklaroi dëshmitari Latifi.

“Sa krisma kanë qenë?”, ka pyetur prokurori, për çka Latifi u përgjigj: “Nuk e di, për dy herë e di që më kujtohet”.

Dëshmitari Latifi tha se nuk e di nëse i akuzuari dhe i ndjeri kanë pasur raporte të mira.

“Nuk e di a kanë pas raporte të mira. N’bazë të mediave, kanë qenë keq edhe më herët”, deklaroi ai.

Tutje, gjykimi ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitarit Visar Behrami, i cili ka deklaruar se kishte punuar dhe kishte qenë pronar i kafiterisë “N’Qosh”.

Duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit Naim Beka, dëshmitari tha se në ditën kritike në lokal kishte shkuar i akuzuari Geci, por se nuk e kishte parë rastin drejtpërdrejtë, pasi ishte larguar më herët nga lokali.

“A ju kujtohet kur ka ardh?”, e pyeti prokurori dëshmitarin Behrami, i cili tha: “U ardh ka gjysma e ditës, rasti ka ndodh rreth orës 18:00, u ardh me dy kolegë të vet”, duke shtuar se nuk e di deri kur ka qëndruar aty i akuzuari, pasi vet kishe dalur nga lokali para se të ndodhte rasti.

Pas dëgjimit të tyre, meqenëse në seancë kanë munguar dëshmitari Halit Geci, trupi gjykues mori vendim që të lexohen deklaratat e tij të dhëna në polici dhe në prokurori, pasi me një gjë të tillë u pajtuan edhe prokurori Beka dhe avokati Dodaj.

Seanca e radhës për këtë rast u caktua të mbahet më 20 prill 2021, në ora 10:00, gjatë së cilës pritet të dëgjohen dëshmitarët Haxhi Brahimi, Zijadin Geci, Bajram Haliti dhe Sejdi Gashi.

Ndryshe, kjo është seanca e tretë e mbajtur që nga kthimi i këtij rasti në rigjykim nga Gjykata e Apelit, në shtator të vitit 2017.

Në seancën e fundit të mbajtur një ditë më parë, më 15 prill, janë dëgjuar eksperti mjeko-ligjor Flamur Blakaj dhe dëshmitari Shani Koca.

Kurse, në seancën e parë të rigjykimit, të mbajtur më 30 mars të këtij viti, prokurori Naim Beka ka hequr dorë nga ndjekja penale për veprën e përdorimit të armës.

Sipas prokurorit Beka, vepra e lartpërmendur është konsumuar nga vepra penale e vrasjes, për çka dhe heq dorë nga pika e tretë e aktakuzës.

Pas kësaj, në atë seancë, Gani Geci ka deklaruar se për pikën e dytë të aktakuzës, që e ngarkon atë me veprën penale të mbajtjes në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, e pranon fajësinë. Ndërsa për pikën e parë të aktakuzës, që e ngarkon atë me veprën penale të vrasjes, Geci tha se nuk ndihet fajtor.

“E pranoi fajësinë për mbajtje dhe posedim të armës. Armën e kam mbajtur për vetëmbrojtje, pasi kam pasur disa atentate. Ndërsa për veprën penale vrasje e rëndë nuk ndihem fajtor”, ka deklaruar i pandehuri Geci në seancën e 30 marsit.

Mirëpo, pranimi i fajësisë është refuzuar nga trupi gjykues, i kryesuar nga gjykatësi Radosllav Markoviq, pasi sipas tij, pranimi i fajësisë shqyrtohet kur të jepet në të gjitha pikat e dhëna si në aktakuzë.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Mitrovicë, me 3 qershor 2016, e kishte dënuar Gani Gecin me 4 vjet e 6 muaj burgim për vrasjen e Ruzhdi Shaqirit.

Ai akuzohet se vrasjen e kishte kryer në kafiterinë “N’Qosh”, në qendër të Skenderajt, më 4 gusht të vitit 2014, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Geci e kishte pranuar se e ka kryer këtë vrasje, duke thënë se këtë veprim e kishte bërë në vetëmbrojtje, pasi kishte deklaruar se ka qenë i rrezikuar të vritej.

Pas vendimit të shkallës së parë, Gjykata e Apelit kishte shqyrtuar ankesat e palëve, më 26 shtator 2017 dhe çështjen e kishte kthyer në rigjykim.

Në aktvendimin e Apelit, të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhej se gjykata e shkallës së parë nuk e ka aprovuar cilësimin e veprës penale sipas aktakuzës së ndryshuar në “vrasje të rëndë”, pasi nuk ishte e qartë se për cilën vepër penale e ka shpallur fajtor.

Sipas vendimit, nga emërtimi ligjor i veprës penale sipas dispozitivit të aktgjykimit rezulton se i akuzuari është shpallur fajtor për veprën penale të “vrasjes”, kurse nga përshkrimi i veprimeve inkriminuese, respektivisht, fakteve dhe rrethanave që përbëjnë figurën e veprës penale del se i akuzuari ka vepruar në gjendje të tronditjes së fortë mendore, kundërthënie këto që sipas shkallës së dytë e bëjnë të pakuptueshëm dispozitivin e aktgjykimit.

“Këto kundërthënie dhe paqartësi janë aq të theksuara në aktgjykim sa e bëjnë atë të paqartë, konfuz dhe juridikisht të paqëndrueshëm dhe të cilat paraqesin shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, që paraqesin bazë për anulimin e aktgjykimit, ngase janë të natyrës absolute dhe nuk mund të evitohen në këtë procedurë, sepse bëjnë të pamundur vlerësimin e drejtë të ligjshmërisë së aktgjykimit në fjalë”, thuhej në aktvendimin e Apelit.

Ndërkaq, me këtë aktvendim, ankesat e të dëmtuarës Halime Shaqiri dhe përfaqësuesit të autorizuar të saj, avokatit Sokol Dobruana, Apeli i kishte cilësuar si jolëndore. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat