Apeli e kthen në rigjykim rastin ndaj kryetarit të Klinës, Zenun Elezaj

Aktuale

Apeli e kthen në rigjykim rastin ndaj kryetarit të Klinës, Zenun Elezaj

Më: 28 prill 2021 Në ora: 19:57
Zenun Elezaj

Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim rastin ndaj kryetarit të Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, lidhur me akuzën për konflikt të interesit.

Lajmi u bë i ditur përmes një komunikate për media, ku thuhet se Apeli e ka aprovuar ankesën e mbrojtësit të të akuzuarit dhe ka anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Pejë, me të cilin Elezaj ishte dënuar me 4 mijë euro gjobë.

“Gjykata e Apelit,  ka konstatuar se aktgjykimi në fjalë duhet anuluar, ngase i njëjti është i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, duke qenë se nuk është përpiluar konform dispozitës së nenit 370 par.7  lidhur me nenin 365 të Kodit të Procedurës Penale. Kjo pasi që dispozitivi është në kontradiktë me arsyet e theksuara,  në pjesën arsyetuese të aktgjykimit, njëkohësisht mungojnë arsyet për faktet vendimtare, ndërsa, ato që janë dhënë, nuk janë në  pajtueshmëri të plotë me provat dhe shkresat e tjera në lëndë. Po ashtu gjykata gjeti se gjendja faktike është vërtetuar në  mënyrë të gabuar dhe jo të plotë, prandaj edhe vendosi që lënda të kthehet në rigjykim.”, thuhet në komunikatë.

Zenun Elezaj ishte shpallur fajtor nga Gjykata Themelore në Pejë më 29 dhjetor 2020 dhe ishte dënuar me 4 mijë euro gjobë, për veprën penale “konflikti i interesit”.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga kryetarja e trupit gjykues Violeta Husaj- Rugova, ndaj tij ishte shqiptuar edhe dënimi plotësues, ndalimi i ushtrimit të funksioneve publike në afat prej 2 vitesh, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 9 tetor të vitit 2019, nga Prokuroria Themelore në Pejë, Zenun Elezaj akuzohet se më 20 shkurt 2018, në cilësinë e kryetarit të Komunës së Klinës, duke e ditur se vajza e tij, ka për të aplikuar në pozitën “Mjeke e praksës së përgjithshme”, në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF), në Klinë, ka marrë pjesë personalisht në këtë çështje zyrtare, duke marrë vendim për formimin e komisionit për zhvillimin e procedurave për krijimin e marrëdhënies së punës.

Sipas aktakuzës, komisioni të cilin Elezaj e kishte formuar e kishte përzgjedhur si punëtore vajzën e kryetarit të Klinës, duke e punësuar atë në QKMF-në “Nëna Terezë”, në Klinë.

Në aktakuzë thuhet se hetimet ndaj kryetarit të Klinës, kanë filluar nga kallëzimi penal i ushtruar nga Agjencia Kundër Korrupsion në Prishtinë, ku sipas opinionit të dhënë për prokurorinë, AKK-ja kishte përcaktuar se kryetari i Komunës duhet të përjashtohet nga çfarëdo çështje vendimmarrëse dhe administrative që kanë të bëjnë me ndonjë anëtar të afërm të familjes.

Prokuroria Themelore në Pejë, sipas aktakuzës, më pas ka nisur hetimet ndaj Elezaj më 26 gusht të këtij viti, ku pas analizimit të provave materiale dhe dëshmisë së dëshmitarëve dhe vet të pandehurit, kjo prokurori thuhet se ka ardhur në përfundim se ekzistojnë të gjitha elementet e veprës penale të konfliktit të interesit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat