Kraki: Është urgjencë reformimi i thellë i shërbimit të jashtëm të Kosovës

Aktuale

Kraki: Është urgjencë reformimi i thellë i shërbimit të jashtëm të Kosovës

Më: 11 maj 2021 Në ora: 00:11
Nezir Kraki

Profesori i shkencave politike në Universitetin Paris-Est Creteil në Francë, Nezir Kraki, ka folur për ndryshimet në politikën e jashtme në Kosovë.

Ai ka thënë se duhet t’i lihet kohë ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvallës për t’u instaluar në postin të cilin e ka marrë.

Kraki ka thënë se për 20 vjet këtë post e kanë zënë personazhe qesharake e të papërgatitur politikisht.

Sipas tij, ajo duhet të rikthehet edhe mentalisht në sistemin e Kosovës.

“Shihet që ajo ka një qasje të sinqertë të punës, për atë puna është mision dhe nuk është punë për të marrë një rrogë. Për Gjykatën Speciale, unë kam shkruar në vitin 2015 publikisht që kjo Gjykatë duhet të kundërshtohet sepse nuk ka drejtësi speciale. Ata që kanë qenë kundër kësaj gjykate janë quajtur atë kohë tradhtarë dhe ata që ishin për gjykatën tash kërkojnë të gjejnë vend te ata që ishin kundër”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se është absurde t’i vishet Gërvalles se është anti-UÇK.

Kraki ka thënë se reformimi i thellë i shërbimit të jashtëm është urgjencë.

Sipas tij, ndër arsyet pse Kosova u zbeh si shtet dhe fushata çnjohëse e Serbisë pati sukses dhe ajo e njohjeve të Kosovës stagnoi, është edhe dështimi i diplomacisë apo prezencës jashtë.

“Kjo ka ndodhur nga të metat brenda në Kosovë. Shumica dërmuese e ambasadave apo përfaqësive diplomatike janë ‘mini Kosovë difunksionale’ si sistemi që s’funksionon atje, i eksportuar në vendet e botës. Më ka impresionuar për keq talenti i këtyre njerëzve për të dështuar edhe në qendrat ku dështimi është gati i pamundshëm. Për të dështuar në Paris, Berlin, Washington e Londër duhet talent i madh. Duhet vullnet i madh. Për të dështuar në vendet që e kanë bërë Kosovën, dhe kanë investuar miliarda, e të lobojnë aty njerëz që s’kanë lidhje as me kulturën e këtyre vendeve e që janë në këto punë veç për rroga, është absurditet pa emër”, ka thënë ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat