​Germin: Votuesit nga diaspora i kushton më shumë dërgimi i zarfeve se sa KQZ-së

Aktuale

​Germin: Votuesit nga diaspora i kushton më shumë dërgimi i zarfeve se sa KQZ-së

Më: 12 maj 2021 Në ora: 13:36
Foto

Votimi nga diaspora deri më tani nuk ka pasur vëmendjen e duhur nga institucionet e vendit. Pozita, por edhe partia më e madhe opozitare po kërkon reformë zgjedhore për të evituar mangësitë gjatë votimit. Një votuesi nga jashtë i ka kushtuar më shumë se sa vetë KQZ-së për dërgimin e zarfeve.

Në zgjedhjet e këtij viti, Komisionit Qendror të Zgjedhjeve i ka kushtuar 6.1 euro, ndërsa, votuesit nga diaspora kanë shpenzuar 1.3 milion euro për dërgimin e zarfeve, ku shumica kanë qenë nga Gjermania dhe Zvicra.

Kështu u tha sot në tryezën e organizuar nga organizata Germin me temën “Votimi nga jashtë vendit”.

Lirim Krasniqi nga organizata "Germin", tha se votimi i qytetarëve që nuk jetojnë në Kosovë, është një mekanizëm për trajtimin e barabartë të qytetarëve që jetojnë jashtë vendit.

Sipas tij, deri më tani nuk ka pasur vëmendje të duhur nga institucionet e vendit, duke shtuar se është shqetësues shifra e lartë e fletëvotimeve të refuzuara nga KQZ.

Krasniqi: Votimi nga jashtë deri më tani nuk është se ka pasur ndonjë vëmendje të duhur

"Votimi nga jashtë deri më tani nuk është se ka pasur ndonjë vëmendje të duhur ose se çfarë do të duhej të kishte nga institucionet. Duhet ta rikujtojmë që ky është një obligim kushtetues, që institucionet e mbështesin me çfarë do lloj forme pjesëmarrjen e qytetarëve në vendimmarrje... Janë refuzuar 22 mijë e 591 fletëvotime që në përqindje i bie 28.5 për qind e votuesve të verifikuar nga KQZ që është një numër relativisht i lartë i refuzimeve për arsye të ndryshme”, tha ai.

Krasniqi ka treguar edhe për koston e votimit të votuesit dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Krasniqi: Shumë më e kushtueshme për një votues nga jashtë se sa për vet KQZ-në

"Një votues nga jashtë në zgjedhjet e vitit 2021, KQZ-së i ka kushtuar 6.1 euro. Ndërsa, mesatarja ndërkombëtare është 12 euro për votues të vlefshëm nga jashtë vendit. Kjo është e rëndësishme të theksohet sepse është thënë shumë herë që operacioni i votimit nga jashtë është ndër më të kushtueshmit për KQZ-në gjë e cila nuk qëndron sipas vlerësimit tonë, sepse nëse e krahasojmë me koston që i kushton KQZ-së për një votues brenda Kosovës atëherë është pak a shumë e njëjtë. Bile është 20 centë më shumë përbrenda Kosovës. Me modelin aktual dhe me kornizën aktuale për votim jashtë vendit është shumë e kushtueshme për një votues nga jashtë se sa për vetë KQZ-në. Në këto zgjedhje përfshirë edhe pakot që kanë ardhur pas afatit, votuesit nga jashtë vendit individualisht kanë harxhuar rreth 1.3 milion euro vetëm për dërgimin e zarfeve përmes postës”, tha Krasniqi.

Ai ka shtuar se votimi në misione diplomatike ka mangësitë e tij, meqë vështirë mund të bëhen përgatitjet në rast të zgjedhjeve të parakohshme.

Megjithatë, Avokati i Popullit, Naim Qelaj ka kërkuar ndryshimin e Ligjit për Zgjedhje, duke shtuar se ka pasur shumë ankesa të adresuara nga diaspora.

Qelaj: Duhet të ndryshohet Ligji për Zgjedhjet

"Ligji për Zgjedhjet nuk ka ndryshuar që nga 2010. Gjatë krejt proceseve zgjedhore janë parë problemet me të cilat ballafaqohet vetë sistemi i zgjedhjeve dhe mënyra e këtij organizimi. Kërkoj të hyhet në debat të përgjithshëm mundësia e ndryshimit të Ligjit për Zgjedhjeve, për të evituar këto mangësi”, tha Qelaj.

Reformën zgjedhore e ka mbështetur edhe Arianit Elshani nga Partia Demokratike e Kosovës, madje ka kërkuar edhe përkrahjen e organizatës Germin për ndryshimin e Ligjit për Zgjedhje.

Elshani: Reforma zgjedhore të mbështetet

“Kam kërkesë ndaj jush dhe ndaj grupit tonë parlamentar që të mbështetet reforma zgjedhore dhe u takon deputetëve të rregullojnë pastaj mënyrën e votimit dhe atë të përfaqësimit. Është nevoja të kemi një kuotë e cila rregullohet në parlament për përfaqësim të diasporës, dhe jo të përdoret si makinë e votimit”, ka theksuar Elshani.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje Fitore Pacolli ka thënë se përmes ligjit mund të vendoset se si të votohet në qendrat jashtë Kosovës dhe se reforma zgjedhore nuk lidhet me të drejtën e votës.

Pacolli: Grupi Parlamentar i LVV-së do të sjellë në kuvend projektligjin

“Kemi tentuar që disa herë ta kalojmë si deputetë, por kemi dështuar. Tani ne kemi një projektligj që sërish do ta sjellim në kuvend. Atë projektligj nuk e gjeni në agjendën legjislative të qeverisë, sepse është projektligj që është nisur nga deputetët, i cili do të shkojë përmes Grupit Parlamentar të LVV-së”, ka njoftuar ajo.

Kryeshefi i Sekretariatit të KQZ-së, Burim Ahmetaj ka përmendur sfidat gjatë procesit zgjedhor.

Ahmetaj: Votimi ka tejkaluar parashikimet e KQZ-së

"Votimi ka tejkaluar parashikimet e KQZ-së. Pra, vetë procesi i aplikimit për t’u regjistruar jashtë vendit ka tejkaluar parashikimet e KQZ-së. Kemi pasur rreth 175 mijë aplikacione, të cilat janë dërguar me e-mail zyrtar të KQZ-së. Të gjitha këto aplikacione është dashur të trajtohen individualisht. Kjo ka qenë sfida e radhës për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Si rrjedhojë e kësaj është dashur të shtohet edhe kapacitetet dhe resurset njerëzore që të trajtohet secili aplikim. Kemi mbi 1 milion fleta të printuara për secilin aplikacion jashtë vendit. Kjo merr kohë, resurse njerëzore dhe ka koston e vet”, tha ai.

Avokati Taulant Hodaj tha se ka pasur kufizime për votim të diasporës dhe se për këtë do të kërkojnë vlerësim nga Avokati i Popullit dhe Gjykata Kushtetuese.

Për zgjedhjet e 14 shkurtit, në adresë të KQZ-së kanë arritur mbi 43 mijë pako të supozuara me fletëvotime. Nga ky numër i pakove 320 prej tyre kanë qenë pako të dërguara brenda Kosovës si dhe 64 zarfe të pahapura, të cilat ishin material hetime për Prokurorinë e Shtetit. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat