Kryeprokurori i Shtetit, Zejnulla Gashi, ka pritur të mërkurën në takim Auditoren e Përgjithshme, Vlora Spanca, me të cilën ka diskutuar për forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional në trajtimin e rasteve që lidhen me dyshimet për keqpërdorim të parasë publike, transmeton “Bota sot”.
Gjatë takimit, vëmendje e veçantë i është kushtuar zbatimit sa më efikas të Memorandumit të Bashkëpunimit ndërmjet Zyrës Kombëtare të Auditimit dhe Prokurorit të Shtetit.
Ky memorandum ka të bëjë me trajtimin e rasteve të adresuara nga Zyra Kombëtare e Auditimit në Prokurorinë e Shtetit, kur ekzistojnë dyshime se mund të ketë elemente të veprave penale, veçanërisht të mashtrimit në financat publike, transmeton "Bota sot".
Po ashtu, Gashi dhe Spanca kanë diskutuar për vazhdimin e organizimit të punëtorive të përbashkëta, me qëllim të shkëmbimit të përvojave profesionale dhe forcimit të kapaciteteve për identifikimin dhe trajtimin e rasteve që mund të përbëjnë vepra penale.
Sipas njoftimit, të dyja palët janë pajtuar që bashkëpunimi të thellohet edhe në të ardhmen, duke respektuar kompetencat dhe përgjegjësitë ligjore të secilit institucion.
Bashkëpunimi synon forcimin e mekanizmave për trajtimin e rasteve të dyshuara të keqpërdorimit të parasë publike dhe luftimin e mashtrimit në financat publike.