Shefat e misioneve diplomatike të Bashkimit Evropian dhe të shteteve anëtare të tij në Kosovë i janë bashkuar thirrjes për raportimin e dhunës, duke vizituar sot ekspozitën e artistes Zake Prelvukaj, “E djeshmja më tregoi të ardhmen”, në Europe House në Prishtinë.
Kjo vizitë shënoi fillimin e fushatës globale “16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore”.
Në njoftimin e Zyrës së BE-së në Kosovë, të cilin e transmeton Bota sot, bëhet e ditur se gjatë vitit 2026, në Kosovë janë regjistruar tetë raste të femicidit. Ndërkohë, për rastin e fundit dhe funksionimin e mekanizmave për parandalimin e dhunës është nisur një hetim parlamentar.
Shefat e misioneve diplomatike përcollën një mesazh të përbashkët, duke kërkuar drejtësi, mbrojtje për të mbijetuarat dhe fund të pandëshkueshmërisë.
“Dinjiteti njerëzor, barazia gjinore dhe sundimi i ligjit janë vlerat themelore të BE-së. Si partneri më i fuqishëm i Kosovës, BE-ja do të vazhdojë të mbështesë përpjekjet për arritjen e barazisë gjinore dhe për të siguruar që gratë dhe vajzat të jetojnë pa asnjë formë të dhunës”, thuhet në njoftimin e Zyrës së BE-së në Kosovë.