“Gati 70 milionë euro për qira” – për çfarë i kërkoi Hoti llogari Muratit?

Aktuale

“Gati 70 milionë euro për qira” – për çfarë i kërkoi Hoti llogari Muratit?

Më: 25 nëntor 2026 Në ora: 13:41
Pamje nga komisioni

Komisioni për Buxhet në Kuvendin e Kosovës ka shqyrtuar Raportin Vjetor Financiar të Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2025, të prezantuar nga ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati.

Gjatë prezantimit, Murati ka bërë të ditur se pranimet e realizuara gjatë vitit 2025, përfshirë fondet e investimeve, të hyrat e veta dhe donacionet, kanë arritur në 3 miliardë e 512.5 milionë euro, ndërsa pagesat e realizuara kanë qenë 3 miliardë e 487 milionë euro.

Sipas tij, të dyja kategoritë kanë shënuar rritje prej nëntë për qind krahasuar me vitin paraprak.

“Gjithsej pranimet e realizuara gjatë vitit 2025, të përfshira dhe fondet e investimeve, të hyrat e veta dhe donacionet, janë në shumë prej 3 miliardë e 512.5 milionë eurove, ndërkaq krahasuar me realizimin e vitit paraprak ka rritje prej 9%. Gjithsej pagesat e realizuara gjatë vitit 2025, të përfshira dhe fondet e investimeve, të hyrat e veta dhe donacionet, janë 3 miliardë e 487 milionë eurove, por gjithashtu krahasuar me realizimin e vitit paraprak ka rritje prej 9%”, ka deklaruar Murati.

Sa i përket planifikimit buxhetor, plani vjetor i pranimeve ishte 3 miliardë e 835.225 milionë euro, ndërsa plani i pagesave 3 miliardë e 782.398 milionë euro.

Në anën tjetër, gjatë diskutimit në Komision, deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka ngritur shqetësimin për shpenzimet e vazhdueshme të institucioneve për qira të objekteve private.

Hoti ka thënë se, pavarësisht diskutimeve dhe zotimeve të mëhershme për zvogëlimin e këtyre shpenzimeve dhe zhvendosjen e institucioneve në objekte publike, kjo çështje vazhdon të mbetet e pazgjidhur.

“Ka pesë vite që unë jam në këtë komision. Në tre vitet e para, ministri ka qenë jashtëzakonisht i zëshëm që këto shpenzime të zvogëlohen, të hiqen institucionet nga objektet private ku paguajnë qira dhe të kalojnë në objekte publike e të tjera e të tjera. Por po duket që në këtë drejtim nuk është bërë asgjë, dhe ne vit pas viti shpenzojmë 11, 12, vitin e 2025, 13 milionë euro për qira. Dëshiroj me e dëgjuar vlerësimin e ministrit në këtë drejtim, por cili është plani? Sepse nëse i merr veç këto pesë-gjashtë vite, bëhen gati 70 milionë euro që janë paguar për qera”, ka deklaruar Hoti.

 Në mbledhjen e Komisionit për Buxhet janë paraparë të shqyrtohen edhe marrëveshjet e kredisë për projektet në sektorin e shëndetësisë, ndryshimet në Ligjin për Sigurimin e Depozitave, si dhe raporti i shpenzimeve të Kuvendit për nëntëmujorin e vitit 2026.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat