Këta janë tetë emrat e anëtarëve të rinj të KQZ-së të emëruar nga Osmani

Aktuale

Këta janë tetë emrat e anëtarëve të rinj të KQZ-së të emëruar nga Osmani

Më: 14 maj 2021 Në ora: 16:18
Valdete Daka

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani të martën në pajtim me kompetencat kushtetuese dhe ligjore, ka emëruar tetë anëtarë të KQZ-së.

Por, për emërimin e dy anëtarëve të tjerë  Presidentja i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me një kërkesë për interpretimin e Nenit 139, paragrafi 4 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës duke u bazuar në nenin 84 si dhe nenin 113 të Kushtetutës, ku ekziston një paqartësi e këtyre dispozitave kushtetuese.

Këshilltari i Presidentes, Bekim Kupina ka dhënë emrat e anëtarëve të rinj, ndërkaq për dy të tjerë tha se Presidentja po pret sqarime shtesë nga Kushtetuesja.

“Anëtarët e emëruar janë: Sami Kurteshi (LVV), Alim Rama (LVV), Arianit Elshani (PDK), Florian Dushi (LDK), Ibrahim Selmanaj (AAK), Gordana Laban Zuvić (LS), Rifat Krasniç (KDTP), Fazli Stollaj (IRDK)”, tha Kupina.

Ai ka sqaruar se për dy anëtarët e fundit, Gresa Bytyqi Kelmendi dhe Ilir Gashi, janë kërkuar sqarime shtesë.

“Sqarime shtesë janë kërkuar për nominimin e tretë për anëtare të KQZ-së nga radhët e GP të VV-së (Gresa Bytyqi Kelmendi) dhe për nominimin e dytë për anëtar të KQZ-së nga radhët e GP të PDK-së (Ilir Gashi)”, konfirmoi Kupina.

Ndryshe, Albert Krasniqi nga “Demokraci Plus” ka thënë sot se presidentët në Kosovës janë duke e trajtuar Gjykatën Kushtetuese sikur të ishte zyrë ligjore e Presidencës.

Krasniqi përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se kësaj praktike gjykata i ka dhënë fund kur kishte refuzuar kërkesat për sqarime të Presidentit Hashim Thaçi.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani sot, në pajtim me kompetencat kushtetuese dhe ligjore, ka emëruar tetë anëtarë të KQZ-së.

Këto emërime janë bërë konform propozimeve nga subjektet politike dhe ashtu siç parashihet me legjislacionin në fuqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat