Drejtori i Departamentit në Ministrinë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Blerim Shabani, është intervistuar nga Komisioni Hetimor Parlamentar për veprimet dhe mosveprimet institucionale lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt dhe trajtimin e dhunës ndaj fëmijëve dhe grave në familje.
Në fillim të intervistimit, Shabani ka kërkuar që seanca të jetë e mbyllur për publikun, me arsyetimin se diskutimet mund të përfshijnë çështje që lidhen me fëmijën dhe të ardhmen e tij, të cilat mund të ndikojnë negativisht në rritjen dhe zhvillimin e tij, por Komisioni refuzoi këtë kërkesë.
Gjatë intervistimit nga kryetari i Komisionit Hetimor Parlamentar, Burim Ramadani, Shabani është pyetur nëse kishte pasur inspektime të jashtëzakonshme në komuna lidhur me rastin tragjik të Arlinda Zekajt.
Shabani: Ka pasur inspektime të jashtëzakonshme në dy komuna
“Për rastin tragjik të Arlinda Zekajt a ka pas inspektime të jashtëzakonshme në komuna në Kosovë?”, ka pyetur Ramadani.
“Po”, është përgjigjur Shabani.
“Ishte në Lipjan apo?”, ka pyetur më tej Ramadani.
“Ishte Komuna e Lipjanit dhe gjatë vitit 2025 ishte edhe Komuna e Prishtinës. QPS-ja e Komunës së Prishtinës më saktë”, ka deklaruar Shabani.
Ndërkaq, deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Eman Rrahmani, e ka pyetur Shabanin nëse Qendrat për Punë Sociale kanë personelin, financimin dhe kushtet e nevojshme për përmbushjen e përgjegjësive të tyre.
Shabani ka thënë se sigurimi i burimeve njerëzore, infrastrukturës dhe pajisjeve për Qendrat për Punë Sociale është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e komunave, ndërsa ministria ka përgjegjësi në raport me financimin e shërbimeve rezidenciale.
Shabani: Sigurimi i stafit dhe kushteve për QPS-të është përgjegjësi e komunave
“Tek mekanizmi për Qendra për Punë Sociale, a janë siguruar personeli, financimi dhe kushtet e nevojshme në bazë të përgjegjësive që i keni?”, pyeti Rrahmani.
“Në kuadër të përgjegjësive tona në raport me Qendrat për Punë Sociale, ne në kuptim të sigurimit të resurseve njerëzore dhe financimit nuk kemi detyrime të drejtpërdrejta. Këto detyrime janë të drejtpërdrejta të komunës. Sigurimi i stafit është përgjegjësi e komunës, infrastruktura është e komunës, pajisjet janë përgjegjësi e komunës. Ne kemi një përgjegjësi sa i përket çështjeve të financimit të shërbimeve rezidenciale”, tha Shabani.
Rrahmani e ka pyetur Shabanin edhe nëse ekziston ndonjë mekanizëm tjetër që e rregullon rritjen e numrit të punonjësve në Qendrat për Punë Sociale, në raport me nevojat.
Shabani: Nuk ka mekanizëm për rritjen e numrit të punonjësve në QPS
“A ka mekanizëm tjetër që e rregullon Qendrën për Punë Sociale në rritjen e numrit të punonjësve në raport me nevojën?”, ka pyetur Rrahmani.
“Nuk ka”, është përgjigjur Shabani.
Ndërsa, deputetja Arijeta Rexhepi e ka pyetur Shabanin lidhur me moszbatimin e formularëve standardë për menaxhimin e rasteve nga Qendra për Punë Sociale në Pejë, konkretisht formularëve 004 dhe 005.
Rexhepi: Si e vlerësoni këtë moszbatim të procedurave standarde
“Të dhënat kanë evidentuar që QPS-ja në Pejë nuk i ka përdorur formularët standardë për menaxhimin e rastit, përkatësisht formularin 004 dhe 005. Si e vlerësoni këtë moszbatim të procedurave standarde dhe çfarë përgjegjësie rrjedh nga kjo?”, ka pyetur Rexhepi.
Në përgjigjen e tij, Shabani ka thënë se hartimi i formularëve profesionalë është përgjegjësi e ministrisë, ndërsa respektimi dhe plotësimi i tyre gjatë punës profesionale është detyrim i secilit profesionist.
Komisioni Hetimor Parlamentar po shqyrton veprimet dhe mosveprimet e institucioneve në rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt si dhe përgjegjësitë institucionale në trajtimin dhe mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje.