Publikohet një ‘non-paper’ për problemin e Manastirit të Deçanit, aty figuron nënshkrimi i Avdullah Hotit

Aktuale

Publikohet një ‘non-paper’ për problemin e Manastirit të Deçanit, aty figuron nënshkrimi i Avdullah Hotit

Më: 25 maj 2021 Në ora: 13:10
Manastirin i Deçanit

Shtetet e QUINT-it kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që ta respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit, që i njeh manastirit të drejtën e pronësisë për 24 hektarë tokë. Qeveri ende nuk është deklaruar për këtë kërkesë. Qeveria e përparshme e udhëhequr nga Abdullah Hoti kishte nënshkruar një non-paper me KFOR-in dhe Kryetarin e Komunës së Deçanit që devijon rrugën Deçan Plavë dhe respekton vendimin e Gjykatës.

Shtetet e vendeve të QUINT-it – Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe, Franca, Gjermani dhe Italia, përmes një deklarate të përbashkët të lëshuar këtë javë, kanë thënë se provë kryesore e përkushtimit të qeverisë se re, në krye me Albin Kurtin, për sundim të ligjit do të jetë zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për tokën e Manastirit të Deçanit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk ka reaguar ende ndaj kësaj kërkese të shteteve aleate të Kosovës.

Në anën tjetër, Ministri kësaj qeverie, Liburn Aliu, në një fjalim të tijin në Kuvendin e Kosovës, këtë javë, ka paralajmëruar si gabim tërheqjen nga ndërtimi i një pjese të rrugës Deçan-Plavë që kalon nëpër Zonën e Mbrojtur të Manastirit të Deçanit.

Ndërtimi i rrugës Deçan-Plavë ishte ndërprerë për një kohë, vitin e kaluar, me kërkesë të qeverisë së atëhershme, mu për shkak se një pjesë e saj kalonte nëpër Zonën e mbrojtur.

“Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, ka kërkuar që të pezullohen punimet në rrugën R108, e cila, në një pjesë të saj, e prek zonën e veçantë të mbrojtur të Manastirit të Deçanit”, thuhej në kumtesën e kryeministrit të atëhershëm, Abdullah Hotit, të publikuar në gusht të vitit 2020.

Kjo ishte kundërshtuar nga Kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj.

Më pas ishte dakorduar teksti i një non-paper-i e të cilin e kishin pranuar Kryeministri Hoti, Kryetari Ramosaj si dhe Komandanti i KFOR-it, me të cilën parashihej ndërtimi i një bajpasi rrugor që do ta evitonte Zonën e mbrojtur.

Demokracia.com posedon këtë “non-paper” ku thuhet se çështja e kësaj rruge do të zgjidhet në përputhje me Ligjin për Zonat e Veçanta të Mbrojtura, duke u bazuar në vendimin e Këshillit të Zbatimit dhe Monitorimit dhe në një proces me objektiva që synon mundësinë e punëve sinkronike në dy sisteme rrugore: bajpasi (rruga anësore) dhe rrugët perëndimore dhe të gjelbër.

Për pjesën e rrugës që cilësohet problematike, pra pjesa që prek Zonën e mbrojtur të Manastirit të Deçanit, në “non-paper” thuhet se do të bëhet instalimi i “policëve të shtrirë” në rrugë, të tipit “K1”.

“Rehabilitimi i rrugëve të gjelbëruara/rrugës perëndimore dhe rrugës anësore (Neni A, B, C në Annex C) do të bëhet njëkohësisht, bazuar në të arriturat sipas Annex A. Asnjë punë e mëtejshme nuk mund të fillojë në rrugën e Manastirit, rrugën e gjelbëruar/rrugën perëndimore apo në rrugë anësore, deri sa të përmbushen të gjitha objektivat e mëparshme”, shkruan në “non-paper”

Pika e katërt e këtij “non-paper” thotë se pjesëtarët e KFOR-it do të monitorojnë progresin në të gjitha sistemet rrugore të lartpërmendura.

“Dispozitat e këtij non-paper, qo do të implementohet si vendim i Këshillit Zbatues dhe Monitorues, nuk paragjykojnë asnjë marrëveshje të ardhshme lidhur me procesin e normalizimit dhe do të paraqiten tek QUINT-i, BE-ja dhe Shefi i Misionit të OSBE-së, dhe të tjerëve, për përkrahjen dhe të konsiderojnë financimin”, thuhet më tutje në dokument.

Mirëpo, të hënën (17 maj) Ministri i Infrastrukturës, Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, Liburn Aliu, u shpreh kundër idesë që të ndërtohet bajpasi 18 kilometra në vend të rrugës prej 6 kilometrave brenda Zonës së mbrojtur.

“Ideja është të ndërtohet një rrugë 18 kilometra në vend të 6 kilometra brenda Zonës së mbrojtur, nëpër male dhe bjeshkë. Pse? Për shkak se kalon kah disa prona të caktuara. Kjo është gabim, sepse krijojmë një precedent të rrezikshëm. dhe kudo që kemi zona të veçanta do të kërkojë të bëjmë bajpas”, u shpreh Ministri Aliu në fjalimin e tij në Kuvendin e Kosovës.

Edhe në vitin 2020, deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje kishin kërkuar sqarime nga ish-kryeministri Avdullah Hoti dhe ndërprerjen e punimeve e kishin quajtur “jashtëzakonisht të dëmshëm, jo vetëm në aspektin ekonomik e infrastrukturor, por edhe në atë politik e shtetëror”.

Në vitin 2008, Kuvendi i Kosovës miratoi Ligjin për Zona të veçanta të Mbrojtura, që duhet të sigurojë mbrojtjen e manastireve ortodokse serbe, kishave, vendeve të tjera fetare, si dhe vendeve historike dhe kulturore të një rëndësie të veçantë për komunitetin serb si dhe për komunitetet tjera në Republikën e Kosovës. Manastiri i Deçanit është njëra nga zonat e mbrojtura, sipas këtij ligji.

Sipas ligjit, në këto zona janë të ndaluara aktivitete të ndryshme, si: ndërtimet apo zhvillimet industriale, të tilla si eksplorimi dhe shfrytëzimi i burimeve minerale dhe ndërtimi i digave, centraleve elektrike apo linjave të tensionit, furrave dhe fabrikave dhe rrugëve transite në zonat rurale; dhe ndërtimet apo zhvillimet që çojnë në shpyllëzimin apo ndotjen e mjedisit.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës më 2016 kishte marrë vendim sipas të cilit i njihet e drejta e pronësisë Manastirit të Deçanit mbi 24 hektarë tokë. Por, ky vendim nuk është zbatuar asnjëherë nga ana e kësaj komune.

Zyrtarë të institucioneve ndërkombëtare në Kosovë, në vazhdimësi kanë bërë thirrje që të respektohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese.

Ka vite që Gjykata Kushtetuese e Kosovës kishte marrë vendim, sipas të cilit i njihet e drejta e pronësisë Manastirit të Deçanit mbi 24 hektarë tokë. Por, ky vendim nuk është zbatuar asnjëherë nga ana e kësaj komune.

Punimet për ndërtimin e rrugës Deçan-Plavë (R-108), rrugë kjo që e lidh rajonin e Dukagjinit me atë të Plavës dhe Gucisë, kanë filluar më 2018 dhe është dashur të përfundojnë më 2020.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat