Vrasësi i Donjeta Pajazitajt, para 29 viteve kishte vrarë edhe një fëmijë 15-vjeçar

Aktuale

Vrasësi i Donjeta Pajazitajt, para 29 viteve kishte vrarë edhe një fëmijë 15-vjeçar

Më: 27 maj 2021 Në ora: 15:23
Naser Pajazitaj

Naser Pajazitaj nga fshati Strellc i Deçanit është shpallur sot fajtor për vrasjen e kushërirës së tij, Donjeta Pajazitaj. Për vrasjen e kryer në vitin 2015, Naser Pajazitaj është dënuar me burgim të përjetshëm. Pajazitaj ka qenë edhe më herët i dënuar për vrasje. 

Gjykata Themelore në Ferizaj sot e ka dënuar me burgim të përjetshëm Naser Pajazitajn, i cili më 9 nëntor të vitit 2015 në bjeshkët e Strellcit ka vrarë me armë zjarri kushërirën e tij, Donjeta Pajazitaj.

“Kryetari i Trupit gjykues i Departamentit për Krime të Rënda – Ibrahim Idrizi, pas mbajtës së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave, dëgjimit të palëve, të pandehurin N.P. e shpalli fajtor dhe i shqiptoi dënim me burgim të përjetshëm”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Por, në vendimin e Gjykatës Themelore të Ferizajt, bëhet e ditur se Pajazitaj ka qenë i dënuar edhe më parë për veprën penale “vrasje e rëndë”.

Kjo e dhënë figuron edhe në një aktgjykim të Gjykatës Themelore në Pejë të publikuar më 2 nëntor të vitit 2020.

Pajazitaj kishte vrarë një 15-vjeçar, siç thotë Gjykata “për shkak të hakmarrjes së paskrupullt për vrasjen e vëllait të tij”.

“Gjithashtu gjykata gjen se edhe pika 1.12 është përmbushur me faktin se i akuzuari kishte qenë i dënuar më herët për vepër penale të vrasjes nga neni 47 al. 2 pika 4 të LPS (Ligji penal i Serbisë). Në vitin 1992 i akuzuari e kishte vra një fëmijë 15 vjeçar për shkak të hakmarrjes së paskrupullt për vrasjen e vëllait të tij, dhe për këtë është dënuar me 20 vite burgim”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Naser Pajazitaj ishte dënuar me 20 vjet burgim, pasi aktgjykimi ndaj tij ishte vërtetuar në tri shkallët e procedurës ankimore.

“Sipas aktgjykimit të Gjykatës së Qarkut në Pejë P.nr.23/92 të datës 26.10.1993 i akuzuari ishte dënuar me dënim burgu prej 20 viteve për vepër penale të vrasjes nga neni 47 alinea 2 pika 4 e Ligjit Penal të Serbisë (ligj në fuqi në atë kohë). Aktgjykimi i shkallës së parë është vërtetuar me aktgjykimin e Gjykatës Supreme të Serbisë me numër KZH.I.1535/93, i datës 18.03.1994, si dhe në shkallë të tretë me aktgjykimin KZH.III.7/94, i datës 20.04.1995”, thuhet në aktgjykimin e Gjykatës së Pejës.

Ndryshe, Naser Pajazitaj sot u dënua me burgim të përjetshëm, pasi u shpall fajtor për vrasjen e Donjeta Pajazitajt.

Sipas aktakuzës së ngritur më 8 qershor 2017 nga prokurorja Valbona Disha Haxhosaj, Naser Pajazitaj akuzohet se më 9 nëntor 2015, në bjeshkët e Strellcit, Komuna Deçan e pikërisht në vendin e quajtur te “Kroni i Lajthisë“, i pandehuri edhe pse më parë ka qenë i dënuar për vrasje, me dashje dhe me armë dhe atë revole të tipit të panjohur në mënyrë mizore e ka privuar nga jeta viktimën Donjeta Pajazitaj nga po i njëjti fshat.

Një gjë të tillë, sipas aktakuzës, Pajazitaj e ka bërë në atë mënyrë që derisa viktima ditën kritike ka qenë duke shkuar në punë në këmbë së bashku me axhën e saj dhe kur kanë arritur tek bunari i fshatit janë ndarë, ashtu që viktima ka vazhduar rrugën në drejtim të Strellcit të Epërm dhe kur afrohet përafërsisht 150 metra afër shtëpisë së Nedi Jusaj, aty pari kalon i pandehuri Naser Pajazitaj me veturën e tij të tipit xhip sheroke me ngjyrë të kaltër i cili ndalet e merr viktimën me veturë, e më pas vazhdon në drejtim të bjeshkëve të Strellcit dhe kur arrin tek “Kroni i Lajthisë” fillimisht e privon me armë duke shtënë dy herë në kokë, e më pas për të humbur gjurmë të njëjtën e mbulon me disa drunjë dhe largohet nga vendi i ngjarjes, kurse viktima më 27 dhjetor 2015 është gjetur pa shenja jete në vendin e ngjarjes nga disa kalimtarë të rastit.

Sipas aktakuzës, Pajazitaj akuzohet se më parë e gjer më 9 nëntor 2015, në fshatin Strellc Komuna e Deçanit, pa autorizim ka poseduar armën dhe atë një revole të tipit të panjohur dhe një pushkë gjuetie me numër serik 0193117 si dhe 12 fishekë të kësaj pushke, në atë mënyrë që më revole ditën kritike ka kryer veprën penale të cekur si më lartë.

Gjithashtu, sipas aktakuzës më parë dhe deri më 23.05.2017, në fshatin Strellc i ulët Komuna e Deçanit, i akuzuari pa autorizim ka poseduar armën dhe atë një armë AK-47 me numër serik 120331141 dhe 2 karikator të zbrazet, ashtu që policia gjatë bastisjes dhe kontrollit në shtëpinë e të pandehurit në dhomën e fjetjes ka gjetur dhe sekuestruar armën e cekur si më lartë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat