Për të dytën herë Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar ish-policin, Artim Gashin me 13 vjet burgim.
Kjo për shkak se ai akuzohet për tentim vrasjen e ish-gruas.
Sipas gjykatësit Naser Foniqi, të akuzuarin Gashi nuk e ka gjetur fajtor për vrasje të rëndë në tentativë nga neni 173, pika 1,3 dhe 1.8 lidhur me nenin 28 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas KTGJ-së ai është gjetur fajtor për veprën penale vrasje në tentativë, nga neni 172 lidhur me nenin 28 të KPRK-së.
Trupi gjykues me shumicë votash ka ardhur në përfundim se i akuzuari Gashi nuk e ka kryer veprën penale vrasje e rëndë në tentativë”, ka thënë ka thënë gjykatësi Foniqi gjatë shpalljes së aktgjykimit. I akuzuari nuk ka pse t’i hakmerret te dëmtuarës.
“Si dhe sa i përket hakmarrjes, Artim Gashi nuk ka pas çka mu hakmarrë te e dëmtuara B.C sepse gjykata nuk ka gjet që e njëjta ka bërë diçka ndaj tij që ai të hakmerret”, ka thënë gjykatësi.
Gjykatësi Foniqi ka thënë se të akuzuarit do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga 4 shkurti 2017 derisa do t’i vazhdohet masa e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e këtij aktgjykimi por jo më shumë se dënimi i shqiptuar sot.
I njëjti, është detyruar që të paguaj edhe shpenzimet procedurale dhe atë paushallin gjyqësorë në shumë prej 200 euro dhe 50 euro për fondin për kompensimin e viktimave të krimit.Arma më të cilën pretendohet se ishte kryer vepra penale, sipas gjykatësit Foniqit do t’i kthehet Policisë së Kosovës.E dëmtuara B.C., për realizimin e kërkesës pasurore juridike është udhëzuar në kontest civil.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, në shtator 2018, e kishte dënuar me 15 vjet burgim ish-policin Artim Gashi, për veprën penale “vrasje e rëndë në tentativë”.Mirëpo, e pakënaqur me lartësinë e dënimit ka mbetur prokuroria, e cila kundër këtij aktgjykimi kishte ushtruar ankesë në Apel, duke kërkuar nga kjo e fundit që ndaj të akuzuarit të shqiptohet një dënim më i lartë me burgim.Në anën tjetër, kthimin e rastit në rigjykim e kishin kërkuar nga gjykata e shkallës së dytë, mbrojtësit e të akuzuarit, avokatët Ramiz Krasniqi dhe Sevdali Zejnullahu.
Kurse, Gjykata e Apelit, kishte marrë aktvendim duke pranuar ankesat e palëve ndërgjyqëse dhe çështjen e kishte kthyer në rigjykim.
Pas kthimit të rastit në rigjykim, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 23 shtator 2020, e kishte shpallur sërish fajtor të akuzuarin Artim Gashi dhe e kishte dënuar me 13 vite burgim.Lidhur me këtë çështje, Gjykata e Apelit, më 17 dhjetor 2020, e ka anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe çështjen e ka kthyer në rigjykim, me sugjerimin që të caktohet një super ekspertizë, ku së paku njëri prej ekspertëve të jetë profesor universitar i lëmisë përkatëse.
Sipas Apelit, pasi të merret ekspertiza, e njëjta të vlerësohet dhe të vendoset sipas ligjit.Sipas aktakuzës së plotësuar më 23 mars 2021, Artim Gashi po akuzohet se më 4 shkurt 2017, rreth orës 09:30, në rrugën “Xhavit Ahmeti”, në Prishtinë, pas një përgatitje paraprake e kishte përcjellë nga shtëpia të dëmtuarën B.C, e cila ishte nisur për provim në fakultet, e kishte ndaluar dhe ishte munduar që me dhunë ta fuste në veturë.
Mirëpo, sipas aktakuzës, pasi e dëmtuara kishte refuzuar, ai me qëllim që ta privojë nga jeta, me armën zyrtare, të llojit “Glock”, e kishte goditur me një plumb në kokë, saktësisht në syrin e majtë, goditje kjo nga e cila të dëmtuarës ia kishte këputur indet e syrit të majtë, ndërsa plumbi kishte depërtuar në tru duke ia shqyer cipën trunore, me ç‘ rast të dëmtuarës i kishte shkaktuar lëndime të rënda trupore të rrezikshme për jetë me pasoja të përhershme për shëndetin.
Aty thuhet se i pandehuri ishte larguar nga vendi i ngjarjes.Me këtë, prokuroria e ngarkon të akuzuarin Gashin me veprën penale “vrasje e rëndë në tentativë” nga neni 173 paragrafi 1, pika 1.3 dhe 1.8. lidhur me nenin 28 të KPRK-së.