Kërkohet nga Sogojeva-Dermaku reforma në Agjencinë për Informim

Aktuale

Kërkohet nga Sogojeva-Dermaku reforma në Agjencinë për Informim

Më: 17 qershor 2021 Në ora: 20:04
Kuvendi i Kosovës

Organizatat e shoqërisë civile kanë kërkuar nga komisionerja e re për Informim, Krenare Sogojeva-Dermaku, që të nisë reformat në Agjencinë për Informim dhe Privatësi.

Në një reagim të përbashkët, organizatat e shoqërisë civile i kanë rekomanduar Sogojeva-Dermakut që të nisë me përzgjedhjen e stafit të agjencisë, sidomos inspektorët, teksa i kanë kërkuar që të kryejë punën me përgjegjësi e profesionalizëm.

“Ftojmë znj. Sogojeva që rekrutimin e stafit ta bëjë në mënyrë transparente duke lejuar shoqërinë civile që të monitorojë nga afër këto procese. Ne presim që vendimet e agjencisë të jenë të shkruara në mënyrë profesionale, të bazuara në standardet europiane, të arsyetuara mirë dhe lehtësisht të qasshme në uebsite”, thuhet në reagim.

Të enjten, Kuvendi e votoi Sogojeva-Dermakun për komisionere për Informim, në seancën të cilës i paraprinë reagime të shumta të shoqërisë civile kundër kandidatit Enver Bujari, për të cilin pati dyshime për dokumentet e dorëzuara nga ai.

Sogojeva-Dermaku ka qenë kandidatja që qe rekomanduar edhe nga Ambasada Britanike.

Opozita sot bojkotoi procesin e votimit me pretekstin kundër kandidatit Bujari. Ndërkaq, bojkoti i opozitës nga shoqëria civile është parë me zhgënjim.

“Deputetët kanë obligim kushtetues që të qëndrojnë në sallë dhe të votojnë. Ata kanë dështuar në përmbushjen e obligimeve të tyre”, thuhet në reagimin ndaj opozitës.

Ndërsa për dyshimet e ngritura për dokumentet e Bujarit, shoqëria civile ka bërë thirrje që të ndiqet këshilla e ushtrueses së detyrës së shefes së grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, që të përfshihet Prokuroria.

“Ne do të vazhdojmë të monitorojmë për së afërmi punën e Agjencisë për Informim dhe Privatësi”, përfundon reagimi i organizatave, FOL, GLPS, KDI, KCSF, Çohu, D4D, GAP dhe aktivistes Flutura Kusari.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat