Lajçak: Albin Kurti ka mandat shumë të fortë politik

Aktuale

Lajçak: Albin Kurti ka mandat shumë të fortë politik

Më: 18 qershor 2021 Në ora: 13:58
Miroslav Lajçak

Emisari Special i BE-së, Mirosllav Lajçak, ka thënë se s’ka arsye për pesimizëm në dialogun Kosovë-Serbi derisa ka folur për takimin e parë mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të mbajtur më 15 qershor.

Ai, në një konferencë për media pas Samitit të Ballkanit Perëndimor që po mbahet në Vjenë, përmendi se është shenjë pozitive që të dyja palët kanë interes për normalizim të marrëdhënieve.

“Besoj që nuk kemi të drejtë të jemi pesimistë, dhe nuk kemi as shkak të jemi pesimistë. Për takimin e parë personal midis kryeministrave të Serbisë dhe Kosovës do të ishte naive të themi që një takim i tillë ishte i thjeshtë. Fakti që një takim u zhvillua dhe u fol për disa orë, ku të dyja palët janë të interesuara për një normalizim të marrëdhënieve dhe që dialogu i lehtësuar nga BE-ja është rruga e duhur është një shenjë pozitive”.

Lajçak deklaroi se kryeministri Albin Kurti ka një mandate të fortë në Kosovë dhe mund të flasë me autoritet në këtë proces.

“Do të ketë takim tjetër para pushimeve të verës. Kryeministri Albin Kurti është i ri në këtë dialog, është një proces që ka nisur në vitin 2011 dhe ka sjellë disa rezultate. Ai i sjell pikëpamjet e tij në këtë proces, e rëndësishme është që ai ka një mandat shumë të fortë politik, sepse atë e ka zgjedhur një shumicë e madhe dhe mund të flasë me autoritet. Nuk ka alternativë në këtë dialog përpos normalizimit të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës. Kjo ka rëndësi për gjithë rajonin. Duam të angazhohemi që procesi të jetë i suksesshëm, jo vetëm në marrëdhëniet midis të dyja shteteve, por edhe të ardhmes evropiane”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat