Shkaku i defektit të një printeri është dhënë vetëm doza e dytë e vaksinës sot në Rahovec

Aktuale

Shkaku i defektit të një printeri është dhënë vetëm doza e dytë e vaksinës sot në Rahovec

Më: 1 shtator 2021 Në ora: 16:31
Foto ilustrim

Rrustem Gashi, rreth të tetëdhjetave kishte zbritur sot nga Xërxa në Rahovec për të marrë vaksinën, dozën e parë. Por nuk ka arritur ta marr atë. "Nuk e di çka po bahet veç po pres këtu", ka thënë ai, derisa po priste në një ulëse para objektit ku po kryhet vaksinimi.

"O prish kompjuteri, po thonë po qu ecim në shtëpi", e ka sqaruar atë e afërmja Ferdane Gashi, duke e marrë për krahu të moshuarin dhe duke ecur plotë nervozë tatëpjetës për të dalë nga oborri i QKMF-së.

Qendra e Vaksinimit në Rahovec merret vesh se sot, ka punuar vetëm me dhënien e dozave të dyta të vaksinës, shkaku i defektit të një printeri. Kështu ka bërë me dije drejtori i QKMF-së, "Dr. Fahredin Hoti" në Rahovec, Elbunit Kryeziu.

"Qysh në ora 08:00 na u ka prish printeri dhe dozat e para nuk kemi mundur t'i japim pasi nuk mund të nxjerrim kartonat e vaksinimit dhe pa të nuk na lejohet të punojmë. Kështu që sot po punojmë vetëm me doza të dyta të vaksinave dhe qytetarët me të drejtë edhe po shprehin revoltë", ka thënë Kryeziu rreth orës 15:40.

"Me doza të dyta kemi punu mirë, neve nuk na lejohet të ndërhyjmë asgjë në rregullimin e printerit, pasi procesi është i centralizuar, ne e kemi lajmëru ministrinë por asnjë përgjigje s'kemi marrë", është shprehur ai duke bërë me dije se deri tani në Rahovec afro 50 përqind e qytetarëve e kanë marrë dozën e parë të vaksinës ndërkaq me të dytën rreth 20 përqind.

Kryeziu ka deklaruar se nga dje, datë 31 gusht, Ministria e Shëndetësisë përmes një komunikate ka sugjeruar që qytetarëve t'u jepet si dozë e parë vetëm vaksina AstraZeneca, derisa të bëhet furnizimi me Pfizer.

"Kjo ka bërë që tek qytetarët të ketë një hezitim të vogël, nuk është fluksi si përpara, AstraZeneca ka mjaft e Pfizer sot kemi vetëm për dozat e dyta", ka thënë Kryeziu.

Pajtim Thaçi nga Xërxa i cili po priste ta marr dozën e dytë të vaksinës Pfizer, tani tha se do ta marr dozën e dytë të cilësdo vaksinë që është në dispozicion.

"Vaksinimin po e bëjë me dëshirë, jo me ndonjë imponim, unë besojë në shkencë", ka thënë Thaçi, ekonomist me profesion. Ai ka bërë me dije se gjysma e familjes së tij 6 anëtarëshe janë vaksinuar ndërsa gjysma ende.

"Nëse ka vaksina të mjaftueshme të gjithë do ta kryejmë këtë proces sa më parë", ka theksuar Thaçi.

Image

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat