Situatë e qetë në veri

Aktuale

Situatë e qetë në veri

Më: 21 shtator 2021 Në ora: 15:16
Njësia Speciale e Kosovës

(E plotësuar 16:58) - Situata e përgjithshme gjatë ditës së sotme në pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjak është e qetë dhe pa ndonjë incident.

Rrugët vazhdojnë të mbeten të bllokuara dhe nuk ka qarkullim të automjeteve, ndërsa qytetarët mund të kalojnë kufirin këmbë.

Në Jarinje kolona e kamionëve dhe automjeteve tjera arrin rreth pesë kilometra, ndërsa në Bërnjak kjo distancë është më e vogël.

Forcat e Policisë së Kosovës janë të pozicionuara nëpër punkte përgjatë kufirit dhe po mbajnë situatën nën kontroll.

Qindra qytetarë serbë, të punësuar kryesisht nëpër institucione paralele, sikur janë të detyruar të dalin nga ora 8:00 deri në 16:00 dhe të qëndrojnë në rrugë.

Përkundër përpjekjeve të ekipit të Kp, qytetarët serbë nuk kanë pranuar të flasin, madje as kryetari i komunës së Leposaviqit, Zoran Todiq, i cili ishte prezent aty pothuajse gjatë tërë kohës. Askush nuk e di deri kur do të zgjasë një situatë e tillë në këto zona, ndërsa prapa kamerës disa qytetarë thanë se janë në pritje të urdhrave nga Beogradi rreth veprimeve të mëtutjeshme. 

Reciprociteti për targat, Policia ndërron ekipin në veri

Automjete të Njësisë Special të Kosovës kanë bërë ndërrimin e ekipit që po qëndrojnë në veri pas protestave të serbëve lokal.

Në rrugën që të shpije për në pikën kufitare në Jarinjë shihen numër i madh i automjeteve të të kësaj njësie duke u larguar për në Prishtinë.

Përderisa situata vazhdon të jetë e qetë në këtë pjesë kurse rruga vazhdon të jetë e bllokuar nga serbët lokal në kundërshtim të vendimit të Qeverisë së Kosovës.

Qeveria e Kosovës ka vendosur masën e reciprocitetit, duke mos lejuar qarkullimin e veturave me targa të Serbisë.

Veturat me këto targa, në hyrje të Kosovës duhet të marrin targa të përkohshme, njësoj siç obligohen qytetarët e Kosovës me targa RKS t’i ndërrojnë ato kur futen në Serbi.

Image
Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat