Haxhiu: Bashkëpunimi institucional është çelësi i luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit

Aktuale

Haxhiu: Bashkëpunimi institucional është çelësi i luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit

Më: 23 shtator 2021 Në ora: 18:25
Albulena Haxhiu

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu me ftesë të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës dhe Departamentit Amerikan të Drejtësisë/ Ambasada Amerikane në Prishtinë, ka marrë pjesë në lansimin e Udhëzuesit të Veçantë kundër Korrupsionit.

Në fjalën e saj para të pranishmëve, ministrja Haxhiu e ka vlerësuar tejet të rëndësishëm këtë Udhëzues të veçantë për politikat ndëshkimore i cili sipas saj, do të jetë shumë i vlefshëm për secilin person që është pjesë e sistemit të drejtësisë e që merret me luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Për ministren Haxhiu, çelësi i luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit është padyshim bashkëpunimi institucional. “Si Ministri e Drejtësisë, zotohem që nuk do të mungojë në asnjë moment bashkëpunimi i Ministrisë me institucionet e drejtësisë me qëllimin kryesor që t’i fuqizojmë këto institucione. Si ministre e Drejtësisë, do të angazhohem fuqishëm, që brenda kompetencave tona, t’i fuqizojmë institucionet e drejtësisë në luftën e tyre ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, qoftë përmes projektligjeve, udhëzimeve të ndryshme, akteve nënligjore por po ashtu edhe përmes buxhetit”, tha ministrja Haxhiu.

Ministrja Haxhiu ka theksuar se mbetet e angazhuar në çështjen e buxhetit për sistemin e drejtësisë meqenëse deri më tani shuma e ndarë ka qenë jo më shumë se 2% e totalit buxhetor. Ministrja ka zhvilluar disa takime me kryesuesit e Këshillit Prokurorial dhe atij Gjyqësor për të kuptuar se cilat janë nevojat që kanë institucionet e drejtësisë në raport me buxhetin në mënyrë që ato të përfshihen në draftimin e ri të buxhetit për vitin 2022.

Sipas ministres Haxhiu, për të pasur institucione të fuqishme të drejtësisë, institucione efikase të cilat trajtojnë qytetarët e Republikës së Kosovës në mënyrë të barabartë, atëherë është shumë e rëndësishme që institucionet e drejtësisë të mbështeten përmes buxhetit.

Në fund të fjalës së saj, ministrja Haxhiu ka falënderuar të gjithë akterët relevant të cilët janë angazhuar në hartimin e këtij udhëzuesi dhe njëherit ka bërë thirrje që të gjithë ata të cilët merren direkt me rastet e krimit të organizuar dhe korrupsionit, t’i ndihmojnë vendit duke luftuar krimin e organizuar e korrupsionin si dhe duke nxjerrë përgjegjësit para drejtësisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat