MD pas vizitës në Hagë tregon disa nga shqetësimet e të paraburgosurve

Aktuale

MD pas vizitës në Hagë tregon disa nga shqetësimet e të paraburgosurve

Më: 23 shtator 2021 Në ora: 18:27
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi

Procedurat e lëshimit të vizave për familjarët dhe shujtat javore të njëjta, kanë qenë disa nga shqetësimet e ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po mbahen në Hagë.

Përmes një njoftimi, Ministria e Drejtësië tha se në vizitën që i kanë bërë të paraburgosurve atje, disa nga vështirësitë për ta janë edhe zvogëlimi i orarit të shëtitjes gjatë fundjavëve si dhe pagesat e vështirësuara për disa nga avokatëve.

“Procedurat e komplikuara për lëshimin e dokumentacionit të familjarëve – vizave, të cilët vizitojnë të afërmit e tyre në Qendrën e Paraburgimit në Hagë, shujtat javore të njëjta, problemet me porositë dhe pagesat, zvogëlimi i orarit të shëtitjes gjatë fundjavave si dhe pagesat e vështirësuara për disa nga avokatët, kanë qenë disa nga shqetësimet e tyre”, thuhet ndër tjerash në njoftimin e MD-së.

Sipas njoftimit, shqetësimet e tyre janë diskutuat edhe në takim me Kryetaren e Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, dhe zyrtarë tjerë që janë zotuar se do të lehtësojnë procedurat për kompletimin e dokumenteve të familjarëve dhe pajisjen e tyre me vizë për një kohë më të gjatë.

Tutje, Ministria ka bërë të ditur se do t’i kryejë të gjitha obligimet e saj në raport me shtetasit të cilët po mbahen në paraburgim.

Ndryshe, në paraburgim gjenden ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Nasim Haradinaj, Jakup Krasniqi, Hysni Gucati, Salih Mustafa dhe Pjetër Shala.

Ata po akuzohen nga Gjykata Speciale për “krime lufte dhe krime kundër njerëzimit”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat