​DnV vlerëson fushatën zgjedhore: Ngjarjet në veri do të ndikojnë në dalje masive në votim

Aktuale

​DnV vlerëson fushatën zgjedhore: Ngjarjet në veri do të ndikojnë në dalje masive në votim

Më: 16 tetor 2021 Në ora: 12:24
Foto ilustrim

Misioni vendor për vëzhgimin e zgjedhjeve “Demokracia në Veprim”, po vlerëson se transparenca për koston financiare të fushatave digjitale ka munguar gjatë fushatës zgjedhore. Partitë politike dhe kandidatët e tyre për kryetarë të komunave kanë shfrytëzuar masivisht platformat digjitale për shpalosjen e ofertave të tyre programore. Ani pse fushata nisi me tubime të vogla, njëjtë edhe nuk u përmbyll. Po ashtu, në ngjarjet e javës së fundit nuk u respektuan as masat antiCOVID. Sa i përket komunave me shumicë serbe, ngjarjet në veri pritet të ndikojnë në dalje më të madhe për votim.

Kështu ka thënë Eugen Cakolli nga DnV, i cili shtoi se “Facebook e “Instagram” janë shfrytëzuar masivisht nga kandidatët për kryetarë të komunave dhe ata të kuvendeve komunale për plasim të ofertave të tyre programore.

Cakolli: Transparenca për koston financiare të fushatave digjitale ende mungon

“Ndonëse shumica dërrmuese e këtyre postimeve ishin të sponsorizuara, transparenca për koston financiare të fushatave digjitale ende mungon. Edhe pse në fillim të fushatës disa subjekte kryesore politike u zotuan për shkurtimin e ditëve të fushatës, në praktikë kemi parë një pasqyre krejt tjetër. Fushata zgjedhore nisi me takime me grupe të vogla të qytetarëve dhe me respektim relativisht të kënaqshëm të masave antiCOVID. Megjithatë, respektimi i masave dhe i kufizimeve për numrin e pjesëmarrësve në takime pothuajse u braktis në të gjitha takimet ngjarjet e organizuara në javën e fundit të fushatës. Respektimi i masave tjera si maskat, mbajtja e distancës, e madje edhe kartelat e vaksinimit apo atyre të testeve negative nuk ka informacione se sa janë respektuar nga ana e partive politike”, tha ai.

Të shtunën në një konferencë për media, Cakolli theksoi se në këtë përshkallëzim të situatës kanë pasur ndikim edhe kontrollet dhe inspektimet e pamjaftueshme të institucioneve përkatëse. Po ashtu, ai bëri të ditur se debatet televizive kanë munguar në komunat me shumicë serbe.

E, Rrezarta Delibashzade Krasniqi ka theksuar se vlerë e shtuar e programeve të një pjese të kandidatëve janë projektet ambientaliste.

Delibashzade Krasniqi: Kandidatët kanë dhënë premtime që janë kompetencë e nivelit qendror

“Edhe në këto zgjedhje nuk kanë munguar rastet kur kandidatë të caktuar kanë dhënë premtime apo kanë përfshirë në programet e tyre çështje që janë kompetencë e nivelit qendror. Këto premtime kanë ardhur kryesisht nga kandidatët në radhët e subjektit politik që udhëheqë me qeverinë, të cilët kanë ndërlidhur zbatimin e projekteve të caktuara me ndihmën potenciale të ofruar nga ekzekutivi. Sa i përket gjuhës së përdorur të kandidatëve për kryetarë dhe kandidatëve për kuvend komunal është një gjuhë kryesisht e moderuar deri më tani, pa ndonjë rast serioz të gjuhës së urrejtës. Ditëve të fundit kemi vërejtur një tendencë të ashpërsimit të gjuhës mes kandidatëve, por që ka mbetur në suaza të rasteve të izoluara”, ka shtuar ajo.

Më tej, u shtua se ka pasur koncentrim në promovim të kryetarëve të komunave, ndërsa kandidatët për kuvende komunale janë parë si “dekor” i aktiviteteve.

Edhe kësaj radhe, DnV vlerëson se përfshirja e grave ka qenë optimale në proporcion me numrin kandidatëve për kryetar.

Ndërkaq, në zonat me shumicë serbe nuk u organizuan tubime të mëdha me qytetarët. Kështu ka thënë Marko Trajkovic nga Demokracia në Veprim, i cili shtoi se në dhjetë komuna.

Trajkovic: Ngjarjet në veri do të ndikojnë në dalje më të madhe në veri të vendit

“Nga të gjitha partitë politike, sa i përket fushatës është mbajt fushatë mjaft e mirë ku të gjithë përfaqësuesit politikë shkonin nga shtëpia në shtëpi dhe prezantonin programet e tyre që kryesisht kishin të bënin me premtimet për punësime sepse ky është problemi më i madh në komunat me shumicë serbe, si dhe problemet lokale siç janë kanalizimi, rrjedhjet e lumenjve etj. Sa i përket përqindjes së daljes, për këtë nuk kemi punuar ndonjë analizë të madhe, por që sigurisht ngjarjet që ndodhën në javët e fundit ne veri të Kosovës, sigurisht që do të ndikojnë në dalje më të madhe, posaçërisht në veri të vendit”, ka thënë ai.

DnV do të përcjellë procesin zgjedhor përmes 110 vëzhguesve, të cilët do të shpërndahen në nivel vendi, bazuar në një mostër të bazuar statistikore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat