Shfaqet Kryeprokurori Lumezi pas skandalit në Prokurori e AKI

Aktuale

Shfaqet Kryeprokurori Lumezi pas skandalit në Prokurori e AKI

Më: 25 tetor 2021 Në ora: 11:50
Aleksandër Lumezi

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi është shfaqur për herë të parë në publik që prej zbulimit të skandalit të Prokurorisë dhe AKI-së, që përfshin dy institucionet në veprime që cenojnë sigurinë juridike në vend.

Një hulumtim i publikuar të premten, hodhi dritë mbi një marrëveshje të bërë më 2018 nga ish-prokurori Sylë Hoxha dhe ish-shefi i AKI-së, Driton Gashi, të dyshuar për “rekrutimin” e dy agjentëve të AKI-së për dhënien e dëshmive të rrejshme në një proces gjyqësor.

Kryeprokurori Lumezi, i cili ftoi një mbledhje urgjente të premten pas zbulimit të aferës, është shfaqur sot në publik. Ka qenë pjesëmarrës në Javën për të Drejtat e Viktimave të Krimit, një ngjarje e organizuar nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit.

Lumezi, tha se gjatë këtyre viteve është mbështetur dhe fuqizuar Zyra për Mbrojtjen dhe Ndihmë të Viktimave, e cila funksionon në kuadër të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit.

Kryeprokurori, sipas komunikatës së Prokurorit të Shtetit, tha se është caktuar Koordinatorja nacionale për rastet e dhunës në familje dhe koordinatorët nëpër prokuroritë përkatëse, “janë caktuar prokurorët përgjegjës si pikë kontakti për rastet e trafikimit të qenieve njerëzore dhe prokurorët në të gjitha nivelet e prokurorive”.

Megjithatë, Prokuroria e Shtetit dhe Këshilli Prokurorial reaguan ndaj skandalit.

Në një deklaratë për media të premten në mbrëmje, Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) dhe Prokurori i Shtetit tha se do të ketë reagime ligjore ndaj skandalit të publikuar.

“Prokurori i Shtetit siguron opinionin se do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore lidhur me pretendimet e paraqitura sot në media, dhe çfarëdo shkelje eventuale do të këtë reagime ligjore”, tha KPK-ja.

Organi kryesor i akuzës tha se nuk do të lejojë cenimin e integritetit të sistemit prokurorial.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat