Gjykata në Pejë mbushet me mbishkrime pas dënimit me 8 muaj burgim të personit që dhunoi një 15-vjeçare

Aktuale

Gjykata në Pejë mbushet me mbishkrime pas dënimit me 8 muaj burgim të personit që dhunoi një 15-vjeçare

Më: 26 tetor 2021 Në ora: 10:10
Mbishkrim i vendosur në murin e Gjykatës Themelore në Pejë

Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka mbushur me mbishkrime muret e Gjykatës Themelore në Prishtinë, pasi kjo e fundit e dënoi me 8 muaj e 8 ditë burgim një dhunues të një 15-vjeçareje.

Vendimi i gjykatës është marrë 10 vite pas krimit, dhe i dënuari tashmë nuk është e nevojshme të shkojë në burg pasi dënimin e ka vuajtur në paraburgim.

Para dy muajsh, gjyqtarja Florije Zatriqi pati gjetur rrethana lehtësuese për rastin ku dënimi parashihet të jetë nga 5 deri në 20 vjet burgim. Në vendimin e marrë, dënimi u arsyetua me “keqardhjen dhe pranimin e fajësisë si dhe në kohën kur ka ndodhur rasti, i pandehuri ka qenë 21-vjeçar dhe tani kanë kaluar 10 vite e se ai ka fëmijë”.

“Ky vendim, i cili vjen pas 10 vitesh nga krimi, nuk mund të lexohet ndryshe veç se se si një akt tjetër i dhunës së institucionalizuar ndaj vajzave dhe grave i cili nisë nga celula e familjes, për të marrë formën më të ashpër tek institucionet më të larta shtetërore”.

“Teksa shteti i Kosovës vazhdon të sillet e të veprojë kundër të gjitha ligjeve të cilat i ka nxjerrë vetë, “drejtësia” është duke punuar kundër grave e në favor të dhunës e dominimit, duke amnistuar burrat kriminelë”.

“Ndonëse Kodi Penal, sanksionon se dhunimi seksual është i dënueshëm me 5 deri në 20 vite burgim, Gjykata Themelore në Pejë, abuzon me diskrecionin e saj në kurriz të vajzave dhe grave. Kjo qasje paternaliste, ku dhunuesit krijohen e mirëmbahen është duke e bërë trupin e vajzave dhe grave çdo herë e më lehtë të cenueshëm e duke i shndërruar burrat në kriminelë -dhunues të vajzave dhe grave”, thuhet në reagimin e Kolektivit për Mendim dhe Veprim Feminist.

Sipas tyre, dhënia e këtij dënimi “jolegjitim”, i vendos të gjitha vajzat dhe gratë në Kosovë në gjendje pasigurie.

“Megjithatë, ky vendim përveç që na tronditë dhe na frikëson, është duke na dhënë sinjale që ne duhet të organizohemi për ta fituar sigurinë tonë dhe për të jetuar pa frikë dhe të lira nga dhuna e shumëfishtë institucionale”.

“Përderisa shteti është kundër nesh e për dhunë, ne do të rezistojmë edhe kundër tij e çdo institucioni që ushqehet me shtypje e që në fund derivon përdhunim e vrasje të vajzave e grave”, thuhet më tej në reagim.

Image

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat