Hisen Berisha: Specialja s’ka të drejtë që dështimin e vet t’ia faturojë gazetarit, apo OVL të UÇK-së

Aktuale

Hisen Berisha: Specialja s’ka të drejtë që dështimin e vet t’ia faturojë gazetarit, apo OVL të UÇK-së

Më: 28 tetor 2021 Në ora: 00:12
Hisen Berisha

Ish- komandanti i Koshares, Hisen Berisha, në një intervistë të shkurtër ka folur rreth çuarjes në Hagë të gazetarit  Halil Berisha, lidhur me publikimin e dosjeve të Speciales dhe raportimit të tij për këto dokumente.

Ai ka thënë se në praktikën administrative, dokumentet konfidenciale duhet të ruhen nga institucioni përgjegjës në mënyrë që të mos jenë të qasshme për çdokënd. Në të kundërtën, sipas tij, gazetarët e kushdo tjetër që i siguron ato nuk ka përgjegjësi. Berisha ka ngritur dyshime se si përfunduan ato dosje në duart e OVL-UÇK-së dhe gazetarëve.

“Nëse ato ishin dokumente të prokurorisë atëherë qysh u bë që dolën nga arkivat e tyre. Po nisem nga njohuritë që i kam se si funksionon administrata shtetërore dhe se si organizohet administrata, aty ka një arkivim të dokumenteve, ka një standard se si ruhen dhe shtrohet çështja se si dolën nga aty, si përfunduan në duart e OVL-së dhe në duart e gazetarëve”, ka thënë Hisen Berisha.

Tutje Berisha ka deklaruar se gazetarët nuk mbajnë kurrfarë përgjegjësie.

Ai ka ngritur dyshimet e tij se dalja e këtyre dosjeve mund të jetë bërë qëllimshme vetëm që të arsyetohet dështimi i ngritjes së akuzave për të cilat është krijuar Tribunali.

Po ashtu, Hisen Berisha ka thënë se me ligj gazetari ka të drejtë të mos tregojë fare burimin e informacionit përderisa ai nuk ka rrezikuar askënd me publikimin e tyre.

Berisha theksoi se Gjykata Speciale nuk ka të drejtë që dështimin e vet t’ua faturojë qoftë gazetarëve, apo OVL-së.

“Kjo hiç nuk është përgjegjësi e gazetarëve, është përgjegjësi e institucionit siç është prokuroria në këtë rast, se si kanë dalë ato prej institucionit dhe derisa unë mendoj se ato o kanë dashtë të jenë të ruajtura me një standard profesional të paqasshëm për gjithkënd, atëherë edhe ajo dalje është e dyshimtë në raport me prokurorinë edhe vet prokuroria është e dyshimtë në këtë temë. Unë po mendoj se ky Tribunal ka dështuar në arsyen e krijimit të tyre e që ka qenë gjykimi për çështjen e trafikimit me organe dhe qenie të gjalla, sepse mbi raportin e Dick Martit për këtë çështje është krijuar ky Tribunal, e jo për krime tjera e korrupsion dhe me këtë po mundohen të krijojnë fajtorë e arsye, sepse ata kanë dështuar, duke e “akuzuar” tash edhe një gazetar që i merr do dosje në OVL, e që e ka kryer punën e tij dhe këto janë tema që më së paku ka faj gazetari. Thjeshtë gazetari s’ka kurrfarë përgjegjësie që ato dokumente janë bërë publike. Me ligj ai ka të drejtë të mos e tregojë burimin përderisa nuk e ka rrezikuar askënd, atëherë çka ka pasur të dëshmojë gazetari Halil Berisha në këtë rast. Ky tribunal nuk ka të drejtë që gabimin e vet, dështimin e vet, t’ia faturojë tash punës së gazetarëve, apo zyrtarëve të Organizatës së Veteranëve të luftës”, ka thënë tutje Berisha.

Hisen Berisha, pos tjerash ka ngritur edhe pikëpyetjen se si rrodhën dosjet dhe me çfarë misioni ato u lanë korridoreve të OVL-së në Prishtinë, kur ato do duhej të ruheshin qoftë në Hagë apo edhe në Beograd me të cilin specialja ka bashkëpunuar.

“Këto dokumente është dashtë të jenë në Hagë, ose nëse kanë qenë edhe në Beograd dhe të qëndrojnë atje dhe me çfarë misioni erdhën këtu, apo ndoshta po krijojnë shkaqe se pse ka dështuar tribunali mbi arsyet që u krijua dhe mendoj që ky tribunal nuk do të shkojë deri në fund”, ka përfunduar Berisha.

Kujtojmë se gazetari Halil Berisha, ka përfunduar dëshminë e tij dy ditore në Hagë dhe se ai nuk ka dëshmuar atje kundër luftës, UÇK-së, apo kundër krerëve të OVL-UÇK-së, por thjeshtë ishte i detyruar të dëshmojë atje si gazetar që mori pjesë në konferencën për media të organizuar nga OVL-UÇK-ja, ku u bënë publike dosjet e Gjykatës Speciale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat