Sa është i rrezikshëm varianti Delta Plus? Flet infektologu Ramadani

Aktuale

Sa është i rrezikshëm varianti Delta Plus? Flet infektologu Ramadani

Më: 11 nëntor 2021 Në ora: 17:46
Hamdi Ramadani

Të mërkurën në Kosovë janë identifikuar rastet e para me variantin Delta Plus të COVID-19.

Ky variant është vlerësuar si më i transmetueshëm se sa ai Delta.

Nga Ministria e Shëndetësisë kanë bërë të ditur së të mërkurën nga 70 mostra pozitive të COVID-19, të dërguara për analizë në Gjermani, 12 kanë rezultuar të jenë pozitive me variantin Delta Plus.

Kryetari i Shoqatës së Infektologëve të Kosovës, Hamdi Ramadani, në një prononcim ka thënë se edhe në vendin tonë është detektuar një lloj i variantit të Covidit, i quajtur Delta Plus.

“Bazuar në të dhënat e paraqitura nga IKShP, del se kemi diku mbi 20% të mostrave të dërguara që janë identifikuar apo përmes projektit gjerman ecdc laborator gjerman. Mbetet që në ditët në vijim të shohim se si do jetë aspekti klinik dhe imunologjik në të infektuar me këtë variant të ri Delta Plus”, ka thënë Ramadani.

Sipas Ramadanit, ende nuk ka të dhëna se sa është i transmetueshëm varianti Delta Plus.

“Mbetemi të shohim se si do të transmetohet ky varianti Delta Plus, por se ende nuk ka njohuri dhe të dhëna dominante është COVID-19/ Delta, dhe ai po përhapet në rajon dhe Evropë, ku po ka edhe vdekshmëri”, ka thënë ai.

Ramadani ka kërkuar nga Qeveria që të mbahen masat që janë në fuqi në mënyrë që të mos ketë përhapje  të këtij varianti.

“Të gjitha masat ato kundër pandemike bazike dhe ato specifike kufizime shtrëngim orari i natës klube nate restorante dhe certifikata e vaksinimit duhet të jenë të obliguara ne vend si deri tani. Ndryshe mundemi të përballemi edhe ne me një valë të re me infeksion me pandeminë COVID- 19, nuk është arritur ende shkalla e lartë e vaksinimit të qytetarëve tek ne, andaj kujdesi duhet të jetë maksimal nga popullata dhe institucionet e vendit tonë”, ka thënë ai.

Varianti Delta Plus i COVID-19 apo i njohur si varianti AY.4.2 është një mutacion i variantit Delta.

Delta Plus është identifikuar për herë të parë në korrik të këtij viti në Britani. Ky variant është ende duke u monitoruar. Ai është konsideruar si ndër variantet më shqetësuese të Coronavirusit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat