Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku në 21 vjetorin e vrasjes së veprimtarit të LDK-së, Xhemajl Mustafa si dhe kolumnistit të “Bota sot”, ka bërë homazhe duke përkujtuar figurën e tij.
Xhemajl Mustafa është një nga figurat kryesore të lëvizjes politike të viteve 90’ dhe ishte mik I ngushtë I presidentit Rugova, përcjell “Bota sot”.
Mustafa për asnjë çast nuk e ndaloj aktivitetin e tij për të mirën e përbashkët, idealin dhe sakrificën sublime për vendin, shkruhet në komunikatën e LDK-së.
Vrasja e veprimtarit të LDK-së, ishte një goditje e madhe jo vetëm për LDK-në por edhe për Kosovën.
Postimi i plotë
Në 21 vjetorin e vrasjes së atdhetarit e veprimtarit të LDK-së, Xhemajl Mustafa, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, bën homazhe dhe e përkujton figurën e tij:
“Xhemajl Mustafa është një nga figurat kryesore të lëvizjes politike të viteve 90’, personalitetet i afërt dhe mik i ngushtë me Presidentin Rugova, ai ishte prijatar i shumë proceseve në kohët më të vështira për Kosovën. Opusi i tij jetësor e krijues shtrihet në shumë dimensione.
Si shkrimtar, atdhetar e publicist, ai bashkë me intelektualët e kohës themeluan LDK-në, me të vetmin qëllim: lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Xhemajl Mustafa, ka lënë gjurmë të pashlyeshme në rrugën e shtet-ndërtimit të Kosovës.
Ai për asnjë çast nuk e ndaloj aktivitetin e tij për të mirën e përbashkët, idealin dhe sakrificën sublime për vendin.
Në kohën kur ideali i lirisë ishte arritur, Xhemajl Mustafës iu ndal rruga në gjysmë - në hyrje të banesës së tij, ai u vra gjakftohtësisht më 23 nëntor të vitit 2000.
Vrasja e tij ishte një goditje e madhe jo vetëm për LDK-në por edhe për Kosovën.
Sot, edhe pas 21 vitesh, vrasja e tij mbetet e pazbuluar, për familjen, LDK-në dhe gjithë bashkëpunëtorët e tij, ndaj dhe dhimbja bëhet edhe më e madhe çdoherë.
Qoftë i përjetshëm kujtimi për jetën dhe veprën e Xhemajl Mustafës!”