​Sveçla sërish i bën thirrje dorasit të krimit në Gllogjan që të dorëzohet

Aktuale

​Sveçla sërish i bën thirrje dorasit të krimit në Gllogjan që të dorëzohet

Më: 27 nëntor 2021 Në ora: 20:47
Xhelal Sveçla

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla edhe një herë i ka bërë thirrje dorasit të krimit në Gllogjan që të dorëzohet, derisa thirrje për dorëzim u ka bërë edhe bashkëpunëtorëve të mundshëm.

Sveçla ka shkruar në Facebook se janë të përkushtuar maksimalisht që të zbardhim këtë rast të rëndë, në mënyrë që sadopak t'ua lehtësojmë familjarëve dhimbjen dhe ankthin e përjetuar.

Postimi i plotë:

Të dashur qytetarë,

Të gjithë bashkërisht jemi të tronditur për vrasjen makabre që ndodhi mbrëmë në Gllogjan, me ç'rast mbetën të vdekur tre qytetarë tanë. Jam i vetëdijshëm për ankthin që e përjetoni të gjithë, e veçanërisht familjet e viktimave, që presin me padurim kapjen e vrasësit dhe vendosjen e drejtësisë.

Si në konferencë për media, ashtu edhe këtu, i bëj thirrje dorasit të krimit që të dorëzohet.

Nëse ka pasur bashkëpunëtorë, u bëj thirrje po ashtu të lajmërojnë e të dorëzohen në Polici. Në të kundërtën, kushdo që ndihmon vrasësin, bëhet bashkëkryes i veprës. Qytetarëve që mund të kenë çfarëdo informate në shërbim të rastit, iu lutem të bashkëpunojnë me institucionet relevante, të cilat, nga mbrëmë, janë mobilizuar si asnjëherë më parë në zbardhjen sa më të shpejtë të rastit dhe kapjen e dorasit apo dorasve.

Jemi të përkushtuar maksimalisht që të zbardhim këtë rast të rëndë, në mënyrë që sadopak t'ua lehtësojmë familjarëve dhimbjen dhe ankthin e përjetuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat