​Çitaku kritikon ministrin Mehaj për dorëheqjen e Ramës nga pozita e komandanti i FSK

Aktuale

​Çitaku kritikon ministrin Mehaj për dorëheqjen e Ramës nga pozita e komandanti i FSK

Më: 1 dhjetor 2021 Në ora: 10:32
Vlora Çitaku

Ish-ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA), njëherit edhe nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku ka reaguar lidhur dorëheqjen e Rrahman Ramës nga pozita e komandantit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

Çitaku derisa ka renditur disa nga të arriturat e FSK-së e në krye të cilës ishte Rama ka drejtuar kritika ndaj ministrit të Mbrojtjes, Armend Mehaj duke thënë se ai ka bërë shkelje të rëndë duke kërkuar nga Rama që t’i japë asetet e FSK-së për shfrytëzim në operacione policore.

“Forca e Sigurisë së Kosovës është institucioni më kredibil dhe më profesional në Republikën e Kosovës. Përgjatë viteve, kam pasur nderin e veçantë që të bashkëpunoj me shumë oficerë të FSK-së. Gjatë shërbimit tim si Ambasadore në SHBA, kam pasur privilegjin që të shoqëroj dhjetëra delegacione zyrtare. Asnjëherë nuk jam ndjerë më krenare se kur kam qenë përkrahë ushtarëve të FSK-së. Nuk do ta harrojë kurrë tetorin e vitit 2018, kur bashkë me ndihmësen e Sekretarit Amerikan të Mbrojtjes, Laura Cooper, kam bashkë-kryesuar mbledhjen e parë të Grupit Punues për Politika të Sigurisë SHBA-Kosovë, të mbajtur në Pentagon. Për nga pregaditja dhe profesionalizmi, oficerët e FSK-së ishin në të njejtin nivel me oficerët amerikan. Përgjatë fazave të ndryshme të transformimit, nga UÇK, në TMK e më pas FSK, është ruajtur bërthama e luftës çlirimtare, paralelisht me krijimin e vlerave të reja. Nga Gjeneral Rama, kolonel Qeriqi, kolonel Dreshaj, deri tek Arilena Shala, Yll Dalladaku, Ilirijanë Bunjaku e Luan Haradinaj, ( po i përmend me emër këta me të cilët kam bashkëpunuar, pa i hyrë në hak askujt) FSK sot është ushtri moderne, me oficerë të pregaditur e shkolluar në Akademitë më prestigjioze ushtarake në botë. Falë punës së tyre para së gjithash, kemi arritur ta ndërrojmë mandatin e FSK-së në ushtri, dhe sot pjesëtarët e FSK-së janë në misione të përbashkëta me trupat amerikane”, ka shkruar Çitaku në “facebook”.

Çitaku tutje për dorëheqjen e Ramës nga komandanti i FSK-së ka thënë se në vend se të dekorohet, ai dorëhiqet pak pa e përmbyll mandatin.

“Ajo çfarë ka ndodhur javëve të fundit me FSK-në nuk duhet të normalizohet. Ministri Mehaj ka bërë shkelje të rëndë edhe të ligjit, po edhe të marrëveshjes me SHBA-të, duke kërkuar nga Komandanti i FSK-së që t’i japë asetet e FSK-së për shfrytëzim në operacione policore. Me veprime të tilla cënohet rëndë kredibiliteti i FSK-së si partnere dhe aleate. Reagimi nga SHBA-të ka qenë i ashpër dhe i menjëhershēm. Në vend se të dekorohet, Gjeneral Rama dorëhiqet, pak pa e përmbyllur mandatin”, ka shkruar mes tjerash Çitaku.

Ndërkohë që ajo ka uruar komandatin e ri të FSK-së, Bashkim Jashari, duke thënë se ai do ta ruaj integritetin e FSK, e do të dalë faqebardhë.

“Gjeneral Jasharajt i dëshiroj sukese dhe mbarësi. Besoj fuqishëm se edhe komandanti i ri i ushtrisë do ta ruaj integritetin e FSK-së. Jam e bindur se do të dalë faqebardhë”, ka shkruar ajo.

Krejt në fund ajo tha se gjeneral Rama ka merituar të përcillet me ceremoni sikurse Gjeneral Jashari që e ka merituar ta prajonë detyrën me ceremonitë që i takojnë.

Në fund fare, shteti është edhe ceremoni dhe simbolika. Gjeneral Rama e ka merituar të përcillet me nderime dhe ceremoni, sikurse që Gjeneral Jashari e ka merituar ta pranojë detyrën me ceremonitë që i takojnë një emërimi të tillë”, ka përfunduar shkrimin Çitaku.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat