109 vjetori i Forcave të Armatosura të Shqipërisë, Mehaj: Sukseset tona do të forcohen në misione me SHBA-në

Aktuale

109 vjetori i Forcave të Armatosura të Shqipërisë, Mehaj: Sukseset tona do të forcohen në misione me SHBA-në

Më: 4 dhjetor 2021 Në ora: 10:38
Ministri i Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, Armend Mehaj

Ministri i Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, Armend Mehaj përmes një letre ka uruar Forcat e Armatosura të Shqipërisë, në 109 vjetorin e formimit.

Në këtë letër drejtuar homologut të tij, Niko Peleshi dhe Gjeneralit Bajram Begaj, ndër të tjera Mehaj thekson se sukseset e përbashkëta të Kosovës e Shqipërisë do të forcohen në misione të përbashkëta.

“Suksese të përbashkëta që do të forcohen edhe më në misione të përbashkëta , përkrah aleatit tonë të pazëvendësueshëm, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe aleatëve tjerë”, thuhet ndër të tjera në letrën e Mehajt.

Po ashtu, Mehaj në këtë letër thotë se bashkëpunimi mes Kosovës e Shqipërisë është në nivelet më të larta ndërministrore dhe ndërushtarake.

“E ardhmja e forcave e tona qoftë në procesin e integrimeve euroatlantike , qoftë në zhvillimin e avancimin e aftësive e kapaciteteve ushtarake, është natyrshëm i përcaktuar nga niveli i koordinimit dhe sinkronizimit të objektivave tanë”, thuhet në letër.

Letra e plotë:

Letër-urimi për vëllezërit, Ministrin Peleshi dhe Gjeneral Begajn me rastin e 4 Dhjetorit -Ditën e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë

I dashur vëlla, Ministër Peleshi

I dashur vëlla, Gjeneral Begaj,

Të dashur motra dhe vëllezër, ushtarake e ushtarakë të Forcave të Armatosura të Shqipërisë,

Pas Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, më 28 Nëntor 1912, vendimi për themelimin e Ministrisë së Luftës  dhe Ushtrisë Kombëtare Shqiptare, më 4 dhjetor 1912, është dhe mbetet një ndër datat dhe ngjarjet më të mëdha historike, jo vetëm për Shqipërinë Mëmë, por edhe për të gjithë shqiptarët e mbetur jashtë kufijve të saj.

Në 30 vjetët që pasuan, pas rënies së Lidhjes së Prizrenit dhe shpërbërjes së forcave të saj ushtarake, shqiptarët nuk u ndalën në luftën e tyre për të siguruar autonominë dhe më pas pavarësinë e vendit.

Kryengritjet shqiptare që filluan në vitin 1908 u finalizuan  me Shpalljen e Pavarësisë së vendit, më 28 Nëntor të vitit 1912., por padrejtësisht me mbi gjysmën e territoreve etnike shqiptare jashtë saj.

Vendimi i menjëhershëm i Qeverisë së Ismail Qemalit, vetëm 6 ditë pas Shpalljes së Pavarësisë,  ishte domosdoshmëri në rrethanat e kohës.

Mbrojtja dhe përdorimi i Forcave të Armatosura kanë qenë domosdoshmëri në sfidat e mëdha për mbijetesën e shtetit shqiptar.

Për 109 vjet , Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, rrugëtuan me sfidat që shoqëruan realitetin kompleks historik dhe gjeopolitik të rajonit, kontinentit dhe Botës mbarë.

Sot, në realitetin e ri, Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, përmbushin detyrat e saj operacionale ushtarake, duke përfaqësuar vlerat më të larta kombëtare dhe shtetërore si vend anëtarë i NATO-s, në misione paqeruajtëse dhe stabilitetit anembanë Botës.

Kjo na ka bërë dhe na bënë nder dhe krenar të gjithë shqiptarëve kudo që janë.

E ndjenjë të veçantë kemi ne, zyrtarët dhe ushtarakët e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Bashkëpunimi ynë tani më, është në nivelet më të larta ndërministrore dhe ndërushtarake.

E ardhmja e forcave e tona qoftë në procesin e integrimeve euroatlantike , qoftë në zhvillimin e avancimin e aftësive e kapaciteteve ushtarake, është natyrshëm i përcaktuar nga niveli i koordinimit dhe sinkronizimit të objektivave tanë.

Qoftë në relacionet tona vëllazërore, qoftë në relacione ndërshtetërore , qoftë edhe në proceset rajonale të iniciativave e programeve rajonale të mbrojtjes dhe sigurisë.

Prandaj, sukseset tuaja si gjithmonë janë edhe suksese tona.

Suksese të përbashkëta që do të forcohen edhe më në misione të përbashkëta , përkrah aleatit tonë të pazëvendësueshëm, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe aleatëve tjerë.

Urime Dita e Forcave të Armatosura me kujtimin dhe nderimin për të gjithë bijtë e bijat e kombit tonë që derdhën gjak e djersë për të mundësuar krijimin e shtetit, ushtrisë kombëtare shqiptare, si dhe ruajtur vazhdimësinë dhe forcimin e tyre për 109 vjet.

Urime Dita e e Forcave të Armatosura gjithë zyrtarëve e ushtarakëve të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë!

Vëllazërisht,

Ministri i Mbrojtjes së Republikës së Kosovës

Armend Mehaj. 

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat