​Rama i hapur për bashkëqeverisje të gjerë në Prishtinë

Aktuale

​Rama i hapur për bashkëqeverisje të gjerë në Prishtinë

Më: 7 dhjetor 2021 Në ora: 13:29
Përparim Rama

Përparim Rama edhe zyrtarisht e ka marrë detyrën e kryetarit të Prishtinës. Pas betimit në asamblenë komunale, pozitën e udhëheqësit të kryeqytetit ia dorëzoi, tashmë ish-kryetari Shpend Ahmeti. Mes batutash dhe këshillash ndaj njëri-tjetrit e bënë rotacionin e pushtetit.

Rama tha se fokus i tij do të jetë bashkimi i të gjithëve për të mirën e qytetarëve të Prishtinës. Ai u shpreh optimist në Prishtinë do të jetë më shumë se një mandat katërvjeçar, derisa u shpreh i hapur për bashkëqeverisje të gjerë në kryeqytet.

Rama: Dashuria për Prishtinën është ajo që na bashkon të gjithëve

“Dashuria për Prishtinën është ajo që na bashkon të gjithëve. Për këtë arsye, mendoj se fokusi ynë do të jetë për bashkim i të gjithëve në të mirën e qytetarit të Prishtinës. Siç e kam cek edhe më para, kundër kandidatin e kemi kaosin urban dhe këtë duhet të luftojmë për të mirën e të gjithëve... Nuk kam asnjë dyshim që do t’ia mbërrijmë katër vjet dhe do t’ia mbërrijmë tetë vjet”, tha ai.

Pasi i dorëzoi tastierën e kompjuterit si dhuratë, por pa shkronjat “P” dhe “R”, ish-kryetari Shpend Ahmeti tha se Ramës do t’i ndihmojë për çfarëdo që ka nevojë.

Ahmeti: Telefonin gjithmonë e ka hapur Përparim Rama

“Të uroj në realizimin e krejt premtimeve që i ke dhënë, suksese në punë. Ju thash për që të thirri ndonjëherë për t’u përzier në punë jo, ama telefonin çel e kam sa herë që të vyen me thirr dhe pyet, gati jam për të ndihmuar. Për të tjerat e keni mandatin dhe vendimet janë të tuajt. Po shpresoj që disa prej projekteve që i kemi lënë do të t’i vazhdoni”, tha Ahmeti.

Ai pati edhe dy kërkesa ndaj kryetarit të zgjedhur.

Ahmeti: Këto dy gjëra ia kërkojë Përparim Ramës

“Për çdo njeri hallexhi që mundesh për t’i ndihmuar, të lutem vazhdo atë rrugë. Një buzëqeshje në fytyrën e një qytetari që ka nevojë të shtinë shtatë ditë me kesh dhe mos me pas telashe. E dyta është që me qenë sa më i barabartë. Mundesh t’ia rrëzosh ndërtimet pa leje të gjithëve, por nëse e bën në mënyrë të barabartë. Në momentin që bën dallime ki me pas probleme. Unë i kërkoj këto dy gjëra, me qenë sa më të barabartë në dorën e shtetit dhe atyre që kanë nevojë, pasi ata kanë nevojë për dorën e shtetit”, theksoi ai.

Lidhur me koalicionet e mundshme, Rama nuk dha detaje, por tha se është i hapur për bashkëqeverisje të gjerë.

Rama: Në aspektin e koalicioneve jemi të hapur për bashkëqeverisje të gjerë

“Në aspektin e koalicionit, unë e përmenda se jemi të hapur për bashkëqeverisje me secilën parti. Këtë do ta bëjmë dhe e ritheksova edhe sot. Koalicioni i gjerë është për të mirën e qytetarëve të Prishtinës. Ka qenë betejë e ideve dhe programeve dhe kjo qëndron edhe tash. Këtë do të bëjmë, do të mundësohem si kryetar që t’i përbashkët të gjithë, kjo është përtej partive politike”, tha Rama.

Gjatë gjithë kohës, dorëzim-pranimi i detyrës së kryetarit të Prishtinës kaloi me batuta mes Ahmetit dhe Ramës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat