​Qytetarët mirëpresin vendimin për dozën e tretë, mjeku internist: Rrit deri në 40 herë nivelin e antitrupave

Aktuale

​Qytetarët mirëpresin vendimin për dozën e tretë, mjeku internist: Rrit deri në 40 herë nivelin e antitrupave

Më: 8 dhjetor 2021 Në ora: 17:03
Foto ilustrim

Nga dita e nesërme në Kosovë do të nisë dhënia e dozës përforcuese dhe asaj të tretë të vaksinës kundër COVID-19. Ekspertët shëndetësorë konsiderojnë dhënia e këtyre dy lloj dozave vjen në momentin e duhur pasi qëstudimet kanë treguar se ato e rrisin deri në 40 herë nivelin e antitrupave neutralizues. Por, edhe qytetarët e kanë mirëpritur këtë vendim dhe thonë se posa të njoftohen nga Ministria e Shëndetësisë për termin ata nuk do të hezitojnë por do e marrin qoftë dozën përforcuese apo edhe të tretën.

Dozën përforcuese do të mund ta marrin personave të cilët i kanë marrë dy doza të vaksinës kundër COVID-19, por tek të cilët me kalimin e kohës imuniteti i tyre vjen duke rënë, ndërsa dozën e tretë do e marrin të gjithë qytetarëtata që kanë marrë që të dy dozat e vaksinës, por që kanë imunitet të dobët apo kanë ndonjë sëmundje shoqëruese. Qytetarët pritet të njoftohen për datën e vaksinimit përmes mesazheve telefonike, e-mailit dhe njoftimeve publike.

Internisti Driton Vela e konsideron si moment të duhur vendimin e Ministrisë së Shëndetësisë për të nisur administrimin e dozës përforcuese të vaksinës anti-COVID, pasi po afrohet limiti 6-mujor të atyre që ndër të parët janë vaksinuar me të dy dozat e që kanë qenë kryesisht profesionistët shëndetësorë e që tek të njëjtit pritet të bie efikasiteti i vaksinave të para.

Vela thotë se është shumë e rëndësishme të merren këto doza duke marrë parasysh edhe përhapjen e variantit të ri Omicron në shumë vende të botës.

Vela: Doza e tretë e rrit deri në 40 herë nivelin e antitrupave neutralizues

“Doza përforcuese është shumë e rëndësishme për disa arsye, e para në kuadër të valës Delta e dimë që me kalimin e kohës bie efikasiteti i vaksinave sidomos ndaj infeksionit me variantin Delta, tash kur ia shton kësaj edhe shfaqjen e variantit të ri që po përhapet në Evropë dhe me gjasë do arrijë edhe në Kosovë nëse nuk ka arritur tanimë, atëherë shtohet edhe më shumë nevoja që ta marrin edhe dozën e tretë sepse studimet kanë treguar se doza e tretë e rrit 25 deri 40 herë nivelin e antitrupave neutralizues”, theksoi Vela.

Eksperti shëndetësor, Driton Vela thotë se ndoshta vendimi për dhënien e dozës përforcuese dhe asaj të tretë është dashur të merrej edhe më herët me qëllim që qytetarët të ishin më të përgatitur në përballjen me variantet e reja të koronavirusit.

Sipas tij, edhe tek doza përforcuese dhe tek ajo e tretë lejohet çdo lloj kombinimi i vaksinave.

Vela: Vendimi për dozën e tretë duhej të merrej me herët

“Ndoshta është dashur edhe më herët të merret ky vendim në mënyrë që të jemi të përgatitur për variantet e reja të cilët edhe ashtu janë pritur se do të shfaqen, në disa vende veçse për shkak të varantit të ri Omicron është shkurtuar periudha kohore e cila kërkohet që të kalojë para se ta marrësh dozën përforcuese për shkak të frikës që ky variant përhapet shumë më shpejt dhe më e rëndësishmja për shkak të dëshmive objektive se ky variant shkakton rënie të sasisë të antitrupave neutralizues”, vijoi internisti Vela.

Ndërsa, edhe qytetarët e Kosovës shprehën të gatshëm për ta marr dozën përforcuese apo të tretën.

Nazmi Berisha thotë se do të vaksinohet edhe një herë dhe këtë vendim e sheh si të qëlluar.

Berisha: Vendim i mirë, do e marr dozën e tretë

“Vendimi është shumë i mirë, është i qëlluar të dy vaksinat i kam marr edhe virusin e kam kaluar vitin e kaluar dhe bëj apel tek të gjithë të vaksinohen. [...]Sigurisht që po do e marr [...] Kjo është në interesin tonë po e shohim se çka po ndodh në botë, shumë shtete më të fuqishme se ne edhe ekonomikisht, edhe në pikëpamje të tjera, ata po i marrin pse ne mos me i marr”, tha ai.

Edhe profesori universitar, Sabri Kadriu beson që doza e tretë është e domosdoshme për t’u marrë me qëllim të luftimit të COVID-19.

Kadriu: Do e marr edhe dozën e tretë 

“Unë mendoj se është diçka mirë, ka shumë gjëra të tjera të këqija por sa i përket shëndetësisë mendoj se vendimi janë që janë analizuar nga dikush dhe asnjë shtet nuk do që popullin e vetë ta asgjësojë. Prandaj, kam besim, dy i kam marr do e marr edhe tretën”, theksoi Kadriu.

Në fund të marsit Kosova ka nisur administrimin e dozave të para të vaksinës anti-COVID. Në atë kohë të parët që u imunizuan karshi COVID-19 ishin profesionistët shëndetësorë. Ata u vaksinuan me llojin e vaksinave AstraZenenca të cilat ishin donacion për Kosovën nga COVAX.

Nga fillimi i procesit të vaksinimit e deri më tani në Kosovë janë dhënë 1.630.082 doza të vaksinës anti-COVID-19. Sipas të dhënave të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) 767 mijë e 742 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë anti-COVID-19. 

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat