Kur do të fillojnë hetimet ndaj ish-zyrtarëve të shtetit, bashkëpunëtorë të Radojçiqit, Veselinoviçit... Vuçiqit!

Aktuale

Kur do të fillojnë hetimet ndaj ish-zyrtarëve të shtetit, bashkëpunëtorë të Radojçiqit, Veselinoviçit... Vuçiqit!

Idriz Morina Nga Idriz Morina Më 13 dhjetor 2021 Në ora: 19:48
Foto ilustrim: Ramush Haradinaj dhe Zvonko Veselinoviç

Është e habitshme, se si drejtues të shtetit tënd një ditë kthehen në bashkëpunëtorë të grupeve kriminale, që drejtohen drejtpërdrejt nga shteti armik në luftë dhe në paqe, Serbia.

Në listë nuk mungojnë drejtues qeverie, ministra, madje president dhe sigurisht edhe nga struktura të sigurisë, që i përmendin dokumentet amerikane.

Pavarësisht se po bëhet një javë prej kur SHBA-ja e shpalli listën e zezë për një grup kriminal ndërkombëtar serb, me seli në veri të vendit, institucionet e Kosovës, as ato të hetuesisë as ato të drejtësisë, nuk e kanë bërë asnjë hap, për të filluar hetime.

Siç rezulton nga hetimet amerikane, grupi kriminal ndërkombëtar, kishte potencial ta destabilizonte shtetin, demokracinë por edhe rajonin!

Si buronte dhe nga ku kjo fuqi e tij?

E para, forcën kryesore ia jepnin institucionet e Serbisë, lidhja me presidentin e këtij vendi Aleksandër Vuçiqin, shumë të fuqishëm, dhe të mbi pushtetshëm, në kuptimin e legalitetit.

Që të jemi të qartë, lexuesit duhet ta dinë se dokumentet flasin për hetimet deri në vitin 2019, dhe nuk përcaktojnë kohëzgjatjen e hetimit të rasteve. Nga datat e përmendura në dokumente rezulton së paku periudha 2017-2019, por bazuar në emrat e figurave strukturat kriminale kanë filluar të veprojnë vite më parë, derisa ato e arritën kulmin.

Vuçiqi sot konsiderohet një autokrat, që ka vënë nën kontrollë të plotë thuaja mediat, ka disiplinuar bizneset nëpërmjet këtyre grupeve kriminale me shtrirje ndërkombëtare, në të paktën katër shtete, Serbi, Kosovë, Kroaci dhe Bullgari.

Por, në Kosovë kush ia jepte fuqinë?

Sigurisht se në Kosovë forca e tyre buronte nga paprekshmëria, që ia kishte siguruar udhëheqja e shtetit, duke mos lejuar drejtësinë të veprojë, që në fakt, është vetvetiu, një drejtësi e varur.

Por, përtej kësaj, këto grupe kriminale bashkëvepronin me grupe partnere apo me njerëz me ndikim në Kosovë, me të cilët bëhej trafikimi i drogës, i armëve, i lëndëve të ndaluara me ligj dhe trafiqe të tjera.

Rrjeti është i qartë

Në krye apo dirigjues personalisht i grupimit që është tashmë në listën e zezë të SHBA-ve është presidenti serb Vuçiq. Ky partner kryesor në Kosovë e kishte presidentin e Kosovës Hashim Thaçin. Pikërisht si pasojë e këtij raporti, do ta kemi në pushtet dhe me ndikim të plotë Listën serbe të themeluar si projekt kontrolli nga Vuçiqi.

Kjo krijesë politike me tipare millosheviçiane do të kthehet shumë shpejt në kontrollues të jetës në Kosovë, të të gjithë serbëve. Asnjë politikan serb thuaja nuk do të guxojë t’i kundërvihet. Kush e bënte këtë do të vritej si Ivanoviçi.

Hashim Thaçi se kishte më mendjen tek Kosova, por tek shmangia e ditëve të gjykimit! Themelimi i Gjykatës speciale, tashmë ishte kthyer në problem për të, prova, hetime, informacione që publiku nuk i dinte, dhe i pëshpëriteshin në vesh. Ai iu dorëzua tërësisht Vuçiqit, edhe planin për ndarje të Kosovës e la në duart e tij. Ndërsa, vetë ngarendi ta takonte edhe presidentin e Rusisë, Putinin.

Ndërkohë, Ramush Haradinaj, nuk po duronte më të mbetej në opozitë. Tapetin e kuq që ia kishte shtruar Hashim Thaçi, kur ai u kthye nga Haga, donte ta kishte nën këmbë çdo ditë. Vuante të katapultohej në krye të Qeverisë. Njëherë ia kishte dalur duke e shantazhuar Rugovën, edhe pse nuk kishte më shumë se 8 deputetë. Duke ia njohur egon e tij të pakontrollueshme, Thaçi dhe Vuçiqi, ia tregojnë rrugën nga duhet të ngjitet në Qeveri, tashmë që ishte liruar nga arrestimi në Francë.

Rruga ishte e shtruar tashmë, vetëm se Ramushi duhej t’i dorëzohej Radojçiqit. Hashim Thaçi do të rrinte sa më larg emrave të bandës, pasi nuk kishte nevojë t’i takonte personalisht, pasi çështjet i diskutonte me shefin e tyre Vuçiqin, madje siç raportohej në media, disa herë në ditë me telefon.

Ju duhej zinxhiri për dualizmin. Tashmë e kishin të sigurt kontrollin e nivelit të dytë. Në plan të parë ishte Thaçi-Vuçiq, në planin e dytë, Ramush Haradinaj - Millan Radojçiq.

Ndërsa, në nivelin e tretë ishte rrjeti brenda institucioneve, “skema e ryshfetit në shkallë të gjerë me zyrtarë të sigurisë kosovare...” Natyrisht, për të bërë trafiqe, si drogë, armë, dhe të tjera, duheshin edhe grupe shqiptare, të cilat duhet t’i zbulojnë institucionet e Kosovës se kush ishin.

Gjërat ju dukeshin të zgjidhura, së bashku mendonin se mund ta destabilizonin vendin, dhe kështu do të mbeteshin të paprekur nga specialja. Një tentativë për ta shuar gjykatën speciale ju dështoi.

Dështimi i tretë!

Pas dështimit me Ramush Haradinajn, dhe meqë ia dolën ta rrëzojnë koalicionin VV-LDK, me partnerët në LDK, Mustafa-Veliu, Thaçi do të provojë ta çojë agjendën e tij me Vuçiqin deri në fund. Territor të Kosovës Vuçiqit dhe lirinë nga Haga, Thaçit dhe anëtarëve të bandës Serbi-Kosovë! Ky bashkëveprim ndërlidhet edhe me dosjet e speciales që ju dërguan Shoqatës së Invalidëve të Luftës.

Në përpjekjen e tretë u krijua në vitin 2020 koalicioni i ri, LDK-AAK-PDK dhe Lista serbe. Fundi i saj do të ishte i shpejtë, pasi informacionet amerikane, nuk mund ta toleronin më Thaçin më tej. Pa e futur në listë të zezë, e japin dritën e gjelbër për arrestimin e tij.

Përpjekjet e tij për ta shkelur tokën amerikane dështuan, ku donte ta ndante Kosovën.

Tashmë është radha e të tjerëve të hetohen, të hyjnë në listë të zezë apo ndonjë prej tyre të udhëtojë drejt Hagës, ku do të ritakohet me shefin e tij!

“Grupi Kriminal Ndërkombëtar (OCG angl.) i Veselinoviçit është i angazhuar në një skemë ryshfeti në shkallë të gjerë me zyrtarë të sigurisë kosovare dhe serbe, të cilët lehtësojnë trafikimin e paligjshëm të grupit të mallrave, parave, narkotikëve dhe armëve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Grupi gjithashtu ka komplotuar me politikanë të ndryshëm në disa marrëveshje quid pro quo...”, thuhet në dokumentin amerikan.

Pra, grupi kriminalë më saktë anëtar të tij si Radojçiqi, kanë mbajtur takime sy me sy me politikanë si me Ramushin, ku janë përcaktuar marrëveshjet për favore. Ramushi e ka bërë këtë në Qeveri, në restorante, dhe madje në shtëpi.

Po ashtu dokumenti thekson se ka “një skemë ryshfeti në shkallë të gjerë me zyrtarë të sigurisë kosovare”. Pra, kjo ia atribuohet një niveli më të ulët, por që është brenda zinxhirit të strukturës së shtetit, madje më të rëndësishmit, të sigurisë.

Pra, rrjeti i bashkëpunimit politik shqiptaro-serb, Thaçi-Vuçiq është ekuivalent me bashkëpunimin e krimit të organizuar shqiptaro-serb. Deri tash kemi mësuar vetëm për gjysmën e medaljes, pasi duhej të identifikohej baza krimit ndërkombëtar dhe kokat e tij, për shërbëtorët e tyre do të mësojmë më vonë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat