Si u vranë me eksploziv tre ushtarë të UÇK-së nga Kaçaniku/ A ishte kurth e hakmarrje!?

Aktuale

Si u vranë me eksploziv tre ushtarë të UÇK-së nga Kaçaniku/ A ishte kurth e hakmarrje!?

Nga: Idriz Morina Më: 24 dhjetor 2021 Në ora: 09:22
Naim Beka njëri nga tre viktimat e një kurthi, në fshatin Doganaj

Një krim i rëndë dhe i pasqaruar ka ndodhur në vitin 1999 në fshatin Doganaj të Kaçanikut. Tre ushtarë do të bien viktima, të një eksplozivi të vendosur në një shtëpi.

Ky rast kurrë nuk u bë pjesë e hetimeve. Përkundrazi, ai vazhdon të kujtohet si një rast, ku thjesht mbetën të vdekur disa dëshmorë.

Por, një njeri i informuar mjaft shumë për ndodhitë kriminale në Kaçanik, ka treguar një version tjetër, të asaj ngjarje, krejtësisht ndryshe nga ai që tregohet në publik.

Sipas informacioneve të Lajçit, ndërsa, po kryhej një aksion në fshatin Doganaj të Kaçanikut, Zhabir Zharku, i kishte bindur që të shkonin në një shtëpi, në të cilën kishte eksploziv, por ata nuk e dinin këtë gjë.

Image
Avni Shehu njëri nga ushtarët e vrarë me eksploziv

“Gjatë një aksioni në vitin 1999 Zharku i ka urdhëruar 4 ushtarë të futeshin në një shtëpi në fshatin Doganaj të Kaçanikut. Para se të hynin këta ushtarë, aty ishte montuar eksplozivi në këtë shtëpi, pa iu treguar ushtarëve”, deklaron ky burim për ne.

Për shkak të shpërthimi të eksplozivit në atë shtëpi, me 25 tetor 1999 do të vriteshin, tre ushtarë, dhe tre të tjerë do të mbesnin të plagosur.

“Në këtë shtëpi vriten nga eksplozivi: 1. Agim Matoshi. 2. Avni Shehu 3. Naim Beka. Ku janë plagosur disa të tjerë me plagë të lehta. Nysret Cena, Syl Selani, Hajriz Xhakli. Ku pjesëmarrës ishte edhe Ibrahim Dalloshi dhe Nesret Shehu.”

Të tre të vrarët ishin varrosur në varreza të dëshmorëve, Beka dhe Matoshi, në kompleksin e varrezave të dëshmorëve në Ferizaj, ndërsa Shehu, në kompleksin e varrezave të dëshmorëve të Kaçanikut.

Avni Shehu (1976-1999), ishte i lindur në fshatin Doganaj të Kaçanikut, në fshatin ku do të vritej pas luftës. Ai nuk ishte i martuar.

Naim Beka ishte i lindur më 5 shtator të vitit 1966 në fshatin Pleshinë të Ferizajt, ishte i martuar dhe ka lënë pas gruan Zejnepe Rekën dhe dy fëmijtë: Amirën dhe Advanin.

Është interesant se sikurse në rastet e përkujtimeve dhe në raportimet për biografitë e këtyre tre vetave, shkruhet se ‘ranë në krye të detyrës’, pa asnjë shpjegim se për çfarë detyra bëhej fjalë, më shumë se katër muaj pas luftës.

Kështu në një ngjarje të organizuar me rastin e 20 vjetorit të vrasjes së tyre, ata nderoheshin nga kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, ku merrnin pjesë edhe ish drejtues të UÇK-së në atë zonë.

Image
Agim Matoshi një tjetër viktimë e krimit

Ai i kishte quajtur dëshmorë të kombit, me një retorikë përplot patos, ashtu si donte edhe turma e mbledhur, për t’ia shëruar plagët.

“Sa herë mblidhemi në përkujtimoret e dëshmorëve – trazohen plagët tona. Plagët që thellë në trupin tonë, ende kullojnë gjak e lot guximtari, krenari që veç shqiptarët di t’i dalloj. Sot, në këtë përkujtimore dhe në qindra përkujtimore të gjertanishme, nuk rreshti e as nuk do të rresht kurrë, shëmbëlltyra më e kristaltë e atdhedashurisë e flijimit – sakrifica e Dëshmorëve të Kombit. Ata janë kudo mes nesh!”, deklaronte Aliu në 20 vjetorin e vrasjes së tyre.

Por, asnjë fjalë dyshimi nëse jo dikush në akademi, apo dikush nga miqtë e atyre që po flisnin, mund të ishte në dijeni, se ata tre mund të jenë vrarë qëllimisht nga dikush.

Ata vërtetë kanë luftuar gjatë luftës, ndoshta edhe ishin ndër ushtarët më të mirë, por a e meritonin një vdekje të atillë?

A nuk meritojnë të paktën një hetim, që shpirtrat e tyre të jenë të qetë?!

Pse prokuroria nuk po i heton këto raste, për të cilat është raportuar prej vitesh në media.

A nuk është i pamjaftueshëm për prokurorinë, përshkrimi në media dhe akademi: ‘ata ranë në krye të detyrës’, kur më nuk kishte luftë fare, dhe çfarë mund të kishte ndodhur në Doganaj me 25 tetor 1999!?

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat